Florim Muça emërohet zyrtarisht CEO i FC Shkupit

FC Shkupi ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Florim Muçës në postin e drejtorit të përgjithshëm (CEO) të klubit, përmes një njoftimi në rrjetet sociale. Edhe pse Muça ka qenë prej kohësh aktiv në strukturat e klubit, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në riorganizimin dhe ndërtimin e skuadrës, ky është konfirmimi i parë zyrtar për rolin e tij drejtues.
Muça nuk është i panjohur për ambientin e klubit, pasi ka qenë i angazhuar edhe më herët në FC Shkupi. Përveç përvojës së tij me klubin, ai ka mbajtur edhe funksione në Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut, konkretisht në departamentin e financave, duke fituar përvojë të vlefshme institucionale dhe menaxheriale.
Emërimi i tij vjen në një kohë kur klubi synon të hyjë në një fazë të re zhvillimi, me fokus në profesionalizëm dhe objektiva të qarta. Nga FC Shkupi theksojnë se ky drejtim i ri karakterizohet nga “vizion i qartë dhe përkushtim i plotë”, ndërsa qëllimi kryesor mbetet rikthimi i klubit në majat e futbollit vendor dhe ndërkombëtar.