Mexhiti: Largojmë bixhozin nga shkollat, mbrojmë rininë

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot Projektligjin e ri për lojërat e fatit, një hap i rëndësishëm drejt rregullimit të një sektori që prej vitesh ka qenë jashtë kontrollit institucional. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cili theksoi se qëllimi kryesor është mbrojtja e të rinjve dhe familjes nga ndikimet negative të industrisë së bixhozit.
Sipas Mexhitit, kazinot, bastoret dhe klubet e aparateve të lojërave të fatit nuk do të lejohen më në afërsi të shkollave dhe institucioneve arsimore. “Do ta pastrojmë hapësirën përreth shkollave nga ndikimi i lojërave të fatit. Nxënësit nuk do të ekspozohen më ndaj kësaj industrie shkatërruese. Rinia do të jetë e mbrojtur, ashtu siç e meriton,” u shpreh ai.
Projektligji parashikon masa të rrepta për të kontrolluar këtë sektor, përfshirë vendosjen e rregullave të reja, taksa më të larta dhe kushte më të forta për licencimin e operatorëve. Qeveria synon të largojë nga tregu të gjithë operatorët që abuzojnë me ligjin dhe konsumatorin.
“Po i japim fund epokës kur fitimet e bixhozit vinin përpara mirëqenies së qytetarëve. Ky është një ligj për njerëzit e zakonshëm, për popullin – një ligj që mbron nxënësin, prindin dhe familjen,” tha më tej Mexhiti, duke theksuar se vullneti politik për ndryshim tashmë është dëshmuar.
Ky projektligj pritet të sjellë reformë rrënjësore në një industri të debatueshme, duke vendosur kontroll dhe përgjegjësi në funksion të interesit publik.