Beqiri dhe Ibraimi: Jemi më të mirë se TNS, shpresojmë kualifikimin

Shkëndija e Tetovës nesër në Shkup do të pret Nju Sentsin e Uellsit në kuadër të ndeshjes së dytë të xhiros së parë eliminatore në Ligën e Kampionëve.
Një ditë para ndeshjes nga tabori i skuadrës kanë folur për gazetarët, ku trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi janë shprehur optimist, duke thënë se janë ekip më i mirë se TNS-ja dhe shpresojmë që me rezultat pozitiv të arrijnë kualifikimin.
“Jam optimist dhe besoj që futbollistët nesër që do të dalin në fushë, si ato nga fillimi, por edhe ato që do të inkuadrohen më pas, janë të përgatitur dhe do të bëjnë paraqitje e cila do të na mundësoj të plasohemi më tutje. Unë besoj që ne do të jemi shumë të qetë, do të jemi me këmbë në tokë. Secila ndeshje ka histori të veta, ndeshja luhet 90-ta minuta, por ka edhe vazhdime, pasi takimi i parë ka përfunduar me barazim. Unë jam optimist, duke u bazuar në kualitetin e futbollistëve, ne jemi ekip që jemi ndërtuar dalë ngadalë që kemi qenë sezonin e fundit kampion të vendit. Gjithmonë tradicionalisht në këtë fushë, si Shkëndijë luajmë mirë, qoftë në kampionatin e Maqedonisë qoftë në arenën europiane dhe unë jam optimist, por duke qenë në një kontroll dhe duke e bartë të njejtën tek futbollistët dhe duke qenë më të qetë. Në qoftë se ne do të vrapojmë shumë, do të jemi shumë serioz dhe do të arrijmë të shfaqim të gjithë potencialin që kemi në skuadër, besoj se jemi ekip më i mirë se TNS-ja dhe me ndihmën e Zotit dhe pak fat shpresojmë se ne do të jemi ekipi që do të gëzohemi në fund”, është shprehur Jeton Beqiri.
Ndërkohë edhe Besart Ibraimi ka thënë fjalët e tij për gazetarët para duelit të nesërm.
“E rëndësishme është që në ndeshjen e parë e arritëm rezultatin që dëshironim të gjithë së bashku. Tani jemi të pëgatitur maksimalisht, luajm në shtëpi, e njohim këtë stadium dhe besoj që me përkushtimin e çdo futbollisti do ta arrijmë rezultatin pozitiv. E rëndësihme është që ekipi të shkojë më tutje. E rëndësishme është që të kualifikohemi. Normal se unë si sulmues, dua dhe çdo herë kam tentuar që të shënoj, por e rëndësishme është që të kontriboj për ekipin dhe shumë pak rëndësi ka se kush shënon në këto ndeshje, e rëndësishme është që të arrijmë qëllimin që kemi”, thotë Besart Ibraimi.
Dueli Shkëndija – TNS luhet nesër mbrëma në arenën “Todor Proeski” në Shkup, duke nisur nga ora 20:00.
Aziz Sahiti /SHENJA/