(VIDEO) Zgjedhjet lokale, Gashi: Do të shpallen në javën e parë të gushtit

(VIDEO) Zgjedhjet lokale, Gashi: Do të shpallen në javën e parë të gushtit

Zgjedhjet lokale do të nënshkruhen në javën e parë muajit gusht, ka njoftuar kryeparlamentari Afrim Gashi në takimin jo formal me gazetarët. Ai deklaroi se zgjedhjet do të nënshkruhen në përputhje me afatet kohore të parapara me ligj.

AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR

Zgjedhjet mund të shpallen më 7-8 gusht. Gjithçka do të jetë brenda afateve. Kodi Zgjedhor përcakton dy dispozita të rëndësishme – së pari, zgjedhjet duhet të mbahen jo më herët se 70 dhe jo më vonë se 90 ditë pas shpalljes. Pika e dytë e rëndësishme është Ligji për Vetëqeverisjen Lokale, i cili përcakton që zgjedhjet duhet të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit”

Përveç nënshkrimit të zgjedhjeve lokale, Gashi foli edhe për miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Tha se nuk ka paralajmërime konkrete për këtë çështje deri më tani.

AFRIM GASHI, KRYEPARLAMENTAR

Nuk kemi një njoftim konkret për miratimin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Diskutimet janë duke vazhduar midis grupeve parlamentare, por nuk jam informuar për një marrëveshje përfundimtare. Po pres një shenjë prej tyre se janë dakordësuar dhe se ligji mund të vazhdojë në procedurë”.

Duke u bazuar në afatet kohore, zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 19 tetor të këtij viti. Kur jemi tek zgjedhjet vlen të potencohet se partitë politike kanë filluar publikimin e emrave të kandidatëve për kryetar komunash.

Mevludin Imeri /SHENJA/

 

MARKETING