(VIDEO) Ndryshime në kodin penal, do t’i konfiskohen automjetet atyre që lëvizin me shpejtësi të madhe

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski ka paralajmëruar masa më rigoroze në trafik, duke përfshirë edhe konfiskimin e automjetit, të cilët do të hyn në fuqi pas vendosjes së sistemit “Safe City”. Ai tha se, që të vihet në funksion ky sistem, nevojitet ndryshime në gjashtë apo shtatë ligje dhe se procedura për këtë veç më ka filluar. Këto ndryshime, siç tha ai, nuk kanë të bëjnë vetëm me zbatimin e sistemit, por edhe me përkufizimin thelbësor midis kaosit dhe rendit normal.
Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm
“Kodi Penal nuk është i lidhur në mënyrë direkte me sistemin “Safe city”, ndryshimi i tij dhe përkufizimi preciz mes veprës penale dhe shkelje është kyç për veprim preventiv. Qëllimi është ulja e numrit të aksidenteve në trafik dhe viktimave”.
Ai theksoi se në vendet ku është zbatuar ky sistem, ka rezultate të dukshme dhe shprehu bindjen se e njëjta gjë do të arrihet edhe në Maqedoninë e Veriut.
Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm
“Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se në të ardhmen, ata që drejtojnë automjete në një mënyrë veçanërisht të pamatur përtej çdo arsyeje do t’i nënshtrohen masave më të rrepta, përfshirë konfiskimin e vetë automjetit”.
Sistemi i paralajmëruar prej kohësh “Safe City”, do të vihet në përdorim të plotë nga 1 janari i vitit 2026 dhe i njëjti synon rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e kulturës së trafikut. Bëhet fjalë për sistem modern me një rrjet kamerash që do të zbulojnë shkelje të ndryshme të trafikut.
Teuta Buçi /SHENJA/