Duhet të ketë përgjegjësi për “Puls”, porositi Toshkovski

Duhet të ketë përgjegjësi për “Puls”, porositi Toshkovski

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi për tragjedinë në “Puls”, për të cilën në llogaridhënien e sotme për vitin e parë të mandatit të tij theksoi se MPB-ja ka nisur hetimin më të madh që ka rezultuar me padi penale kundër dhjetëra autorëve, përfshirë ish-ministra dhe ministra aktualë, drejtorë, kryetarë komunash, drejtues institucionesh, nëpunës policor dhe bartës të tjerë të funksioneve.

“Fatkeqësisht, vitin e kaluar përjetuam tragjedinë më të madhe në historinë më të re të Maqedonisë, zjarri në “Puls” në të cilin humbëm 62 jetë të reja, ndërsa mbi 200 u lënduan. Ndryshe nga e kaluara kur pas ngjarjeve të tilla tragjike nuk kishte asnjë kallëzim penal të paraqitur nga MPB-ja, tani MPB-ja ka nisur hetimin më të madh deri më sot, i cili rezultoi në paraqitjen e kallëzimeve të shumta penale kundër dhjetëra autorëve, përfshirë ish-ministra dhe drejtorë aktualë, kryetarë të komunave, drejtues institucionesh, nëpunës policor dhe bartës të tjerë të funksioneve. Përgjegjësi duhet të ketë”, tha Toshkovski, në llogaridhënien për punën e bërë në vitin e kaluar.

Kujtoi se MPB-ja përveç ndihmës ekzistuese për të lënduart, së fundmi ka vënë në dispozicion edhe kompleksin tërësisht të rinovuar në Ponikva, ku tashmë është duke u zhvilluar rehabilitim i disa prej të lënduarve në zjarrin.

Toshkovski në llogaridhënien vlerësoi se tani kemi Ministri të Punëve të Brendshme që reagon dhe polici që është e dukshme në terren, por, siç tha, kemi ende shumë punë për të bërë.

“Krimi dhe korrupsioni janë sfida me të cilat përballemi vazhdimisht. Ende ka rrjete, interesa, struktura që duan të ruajnë status quo-në e tyre. Por ato nuk po ia dalin më aq mirë sa më parë, sepse tani MPB-ja u shërben qytetarëve dhe kemi një lidership që nuk hesht dhe vepron me vendosmëri, theksoi Toshkovski.

Viti i kaluar ishte vetëm hapi i parë, themelet dhe rendi janë hedhur, dhe tani, tha, fillon beteja e vërtetë për një sistem që nuk do t’i përulet interesave të askujt, për politikën që do të thotë rend, drejtësi dhe përgjegjësi, dhe për një shtet që ka kapacitetin për të pastruar kur është e nevojshme, për të ndërtuar aty ku mungon dhe për të treguar forcë kur qytetarët e presin atë.

Toshkovski theksoi se vitin e kaluar kanë shkatërruar 14 grupe të krimit të organizuar, me mbi 200 autorë, përfshirë një grup brutal që ishte i përfshirë në nëntë vrasje, zhvatje, zjarrvënie dhe sulme ndaj policisë.

Në luftën kundër korrupsionit, kumtoi se kanë ngritur kallëzime penale kundër 107 personave fizikë dhe 18 personave juridikë për korrupsion në kujdesin shëndetësor, energjetikë, sistemin tatimor dhe madje edhe në sistemin e sigurisë. Këto skema korruptive rezultuan në dëm të shtetit prej mbi 17 miliardë denarë.

“MPB-ja ka ndërmarrë veprime procedurale që shpresoj se do të krijojnë kushte që këto para t’u kthehen qytetarëve në të ardhmen”, tha Toshkovski.

Ai paralajmëroi se kjo luftë do të vazhdojë të rritet dhe, siç theksoi, kushdo që guxoi të vjedhë nga populli do të përballet me përgjegjësi.

Në luftën kundër drogës, ata zbuluan mbi 860 vepra penale dhe sekuestruan mbi 430 kilogramë narkotikë, përfshirë sasi rekord kokaine, parandaluan tre përpjekje për kontrabandë ndërkombëtare dhe zbuluan keqpërdorime në kompanitë e prodhimit të kanabisit, nga të cilat sekuestruan mbi gjashtë ton marijuanë.

“Kjo, konsideron ministri, tregon se nuk ka të paprekshëm dhe se drejtësia do të arrijë tek të gjithë, pavarësisht emrit, mbiemrit apo funksionit.

MARKETING