(VIDEO) VLEN “dha llogari” para qytetarëve

Partia në pushtet VLEN në ngjarjen e sotme “1 VIT VLEN – PUNË, DINJITET, NDRYSHIM”, ka prezantuar siç i quajtën ata, të arriturat dhe puna e bërë gjatë një viti qeverisje në kuadër të mandatit aktual. Përfaqësuesit e kësaj partie theksuan se, ndonëse rruga nuk ka qenë e lehtë, ata kanë arritur të realizojnë një sërë projektesh konkrete dhe të vendosin themelet për ndryshime të qëndrueshme në sektorë të ndryshëm. Në fokus të fjalës së tyre ishte transparenca, investimet në zhvillimin rajonal dhe përmirësimi i kushteve për qytetarët.
Zëvendës kryeministri Izet Mexhiti thotë se qeverisja e tyre nuk ka nevojë për shumë fjalë, sepse dallimi me Qeverinë kaluar është shumë i qartë dhe konkret.
Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike
“Dallimi është konkret, nuk ka më nevoj për fjalë sepse kemi shkolla të reja, pagë minimale më të lartë, mijëra vende pune, diaspora po respektohet, korrupsioni po luftohet, shqiptarët po përfaqësohen drejtë. Kufijtë po hapen, miqësitë po forcohen, po investohet dhe ndërtohet dhe ky është vetëm fillimi”.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në fjalën e tij tha se gjatë një viti qeverisje me VLEN janë realizuar investime të rëndësishme që po sjellin vende të reja pune dhe përmirësim të jetës për qytetarët.
Bilal Kasami, kryetari i Lëvizjës Besa
“Një vit qeverisje, një vit shpresë, një vit luftë për të riparuar dëmet e shkaktuara të sistemit, në sistemin e shtetit, një vit plot dinamikë, me ndërtime dhe zhvillim, duheshin vetëm 365 ditë punë dhe përkushtim që qytetarët ta ndjejnë se shteti dhe institucionet u takojnë atyre, se në vendin tonë ja vlen të jetohet dhe të ndërtohet ardhmëria e fëmijëve tanë”.
Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi në fjalimin e tij u ndal te situata e krijuar me shkollën e Norovës, të cilëne quajti situatë komike.
Zeqirija Ibrahimi, kryetar i Alternativës
“Megjithatë, dje e kishim një situatë komike. Pas punës që e kanë bërë zëvendës ministri i Arsimit Lulzim Aliu, zëvendësministrja e Transportit, zKaltrina Zekolli Shaqiri dhe veçmas Avokati i Shtetit zotëri Bekim Emini, që objekti i shkollës të Norovës të kalojë në pronë shtetërore e të legalizohet e të vazhdojë mësimi aty, dolën disa aktivistë të opozitës të mërzitur shqiptar duke u mburrur se ata janë më meritorë, vetëm që nuk na thanë se cilën pjesë të punës e kanë bërë ata që së paku ta dimë për ç’farë duhet t’u duartrokasim”.
E zëvendës kryeministri Arben Fetai përmendi praninë e liderit të tij deri para pak kohësh Arben Taravarin i cili krah zyrtarëve të BDI-së shetite nëpër Çarshi me Edi Ramën, në fillim të kësaj jave.
Arben Fetai, zv kryeministër
“Siç i quajta unë doktori dhe pacienti të cilët nisën fushatë dorë për dore në Çarshinë e Shkupit duke mbështetur rehabilitimin e Aliut dhe rrjetin e tij të hajnisë dhe trathtisë 22 vjeçare, ashtu siç e kemi pritur. Por, mos harroni, ata i kishin 22 vite, ne je ku jemi po e mbsuhim vetëm 1 vit dhe kemi kthyer shpresën, kemi ndërtuar ura”.
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku tha se ata e morën pushtetin në një kohë kur në politikën e jashtme shteti ishte i zhytur kokë e këmbë nën orbitën e botës serbe.
Bekim Qoku, deputet
“Bujar Osmani si ministër i Jashtëm ishte i vetmi zyrtar evropian që e priti Sergej Lavrovin, ndërsa Ali Ahmeti në mënyrë të turpshme nderoi presidentin serb Vuçiq në Manastirin e Shën Naumit si ta kishte mik shtëpie. Ky ishte realiteti kur filluam punën tonë dhe pavarsisht sfidave të shumta sot kemi arritje konkrete”.
Liderët gjithashtu u shprehën se ajo që përmendën sot është vetëm një pjesë e arritjeve të tyre, për këtë 1 vit qeverisje.
Anida Murati /SHENJA/