(VIDEO) Hapja e çerdhes në Çair, Limani: Procedura në fazën e fundit

Edhe pse ende nuk është hapur zyrtarisht, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, e cilëson punë të kryer çështjen e çerdhes që pritet të hapet në Çair. Njoftoi se çerdhja e Çairit ka kapacitet dhe do të pranojë 350 fëmijë, ndërkaq tha se deri në fund të këtij viti do të hapen edhe 11 objekte të reja për kujdes të fëmijëve.
FATMIR LIMANI – MINISTËR I POLITIKËS SOCIALE DEMOGRAFISË DHE RINISË
“Aktualisht, janë përfunduar mbi 15-të objekte për ndërtimin dhe pajisjen e kopshteve që do të ofrojnë përkujdesje për për 1.500 fëmijë. Shtuar çerdhen në Çair me kapacitet 350 fëmijë. Deri në fund të vitit 2025-së do të hapen mbi 11 objekte të reja me kapacitete me mbi 1.100 fëmijë”
I pyetur nga TV Shenja se deri ku konkretisht ka arritur procedura për hapjen e çerdhes në Çair, Limani tha se ka mbetur vetëm që Komisioni nga Ministria e tij, të konfirmojë nëse objekti përmbush kushtet pas çka do të pasojë edhe hapja zyrtare.
FATMIR LIMANI – MINISTËR I POLITIKËS SOCIALE DEMOGRAFISË DHE RINISË
“Çështja e çerdhes në Çair është në fazën e fundit do të duhet komisioni i Ministrisë të dalë të bëjë verifikimin e asaj a plotësohen kushte ose jo, bazuar në raportin të cilin na e kanë dërguar ata dhe me këtë do të bëhet edhe hapi i fundit për t’u hapur ajo si çerdhe”
Ndërtimi i çerdhes në Çair ka filluar nga përbërja e Qeverisë së kaluar, hapja e saj është shtyrë për disa herë. Në prononcimin e fundit për TV Shenja, kreu aktual i Çairit kishte thënë se hapja do të bëhej në fund të muajit maj.
Mevludin Imeri /SHENJA/