Trump: Izraeli ka rënë dakord për “kushtet e nevojshme” për të finalizuar armëpushimin 60-ditor në Gaza

Trump: Izraeli ka rënë dakord për “kushtet e nevojshme” për të finalizuar armëpushimin 60-ditor në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se Izraeli ka rënë dakord për “kushtet e nevojshme” për të finalizuar një armëpushim 60-ditor në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se përfaqësuesit e tij zhvilluan një “takim të gjatë dhe produktiv” me zyrtarët izraelitë më herët gjatë ditës.

“Izraeli ka rënë dakord për kushtet e nevojshme për të finalizuar armëpushimin 60-ditor, gjatë së cilës kohë ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”, shkroi ai.

Ai shtoi se Katari dhe Egjipti, ndërmjetësuesit në bisedimet për armëpushim, do t’i dorëzojnë “propozimin përfundimtar” grupit palestinez Hamas.

“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë – vetëm do të përkeqësohet”, tha Trump.

Më herët gjatë ditës së djeshme, Trump u tha gazetarëve se shpreson që një armëpushim në Rripin e Gazës të arrihet “diku javën tjetër”.

Ai tha se do të diskutojë për Gazën dhe Iranin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu javën tjetër në Washington.

“Ai do të vijë këtu. Do të flasim për shumë gjëra. Do të flasim për suksesin e madh që patëm në Iran… Do të flasim edhe për Gazën”, shtoi ai.

MARKETING