(VIDEO) Anketë, të rinjtë nuk besojnë se RMV do të hyjë në BE për 5 vjet

Mbi 40% e të rinjëve të vendit kanë qëndrim pozitiv ndaj BE-së, por nuk besojnë në integrim të shpejtë të vendit, tregojnë të dhënat e anketës nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Ekselencë, Fondacionin gjerman për Liri “Friedrich Naumann”, si dhe me platformën rinore në Maqedoninë e Veriut – “Studentarija”.
INSTITUTI PËR QEVERISJE TË MIRË DHE PERSPEKTIVA EUROATLANTIKE
“41% e të rinjëve në vend kanë një qëndrim pozitiv ndaj Bashkimit Evropian, ndërkaq 24% kanë një qëndrim negativ, ndërsa rreth 35% janë neutral, gjë që tregon hapësirë për angazhim, por edhe mungesë të lidhjes konkrete me vlerat e BE-së”.
Nga atje thonë se sa i përket perspektivës së anëtarësimit të vendit në Union, rezultatet janë relativisht skeptike, gati 46.5% e të anketuarve nuk besojnë fare se Maqedonia do të bëhet pjesë e BE-së, 35.8% pranojnë se integrimi i Maqedonisë në BE do të ndodhë, por në një të ardhme më të largët, ndërsa vetëm 6.7% mendojnë se kjo mund të ndodhë brenda pesë viteve të ardhshme.
INSTITUTI PËR QEVERISJE TË MIRË DHE PERSPEKTIVA EUROATLANTIKE
“84.6% e të rinjëve e shohin korrupsionin si pengesën kryesore për integrimin në BE. Menjëherë pas saj vijnë konfliktet bilaterale (61%) dhe mungesa e besimit në institucione (60%), faktorë që tregojnë se të rinjtë e shohin situatën e brendshme politike si një sfidë kyçe për afrimin me BE-në dhe ata presin hapa të guximshëm nga institucionet për të luftuar korrupsionin, si bazë për kushte më të mira jetese dhe për të qëndruar në vend”.
“Kur u pyetën se cili vend nga Ballkani Perëndimor është më afër të bëhet pjesë e BE-së brenda pesë viteve të ardhshme, të rinjtë nga vendi i jepnin sondazhit 53.2% për Shqipërinë, ndërsa në vend të dytë renditej Mali i Zi me 34.5%, ndjekur nga Serbia me 14.7% dhe të tjerët me përqindje nën 10%. Vetëm 8.2% besojnë se Maqedonia do të bëhet pjesë e BE-së në këtë periudhë, një tregues shqetësues që kërkon masa të shpejta dhe konkrete nga institucionet nacionale dhe përfaqësuesit publikë për të rikthyer shpresën dhe besimin në perspektivën europiane”, thuhet në komunikatën e Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Perspektiva Euroatlantike.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/