Inter e nis me “frena dore”, Chivu debuton me “X”, e ndal Ramos

Inter e nis me “frena dore”, Chivu debuton me “X”, e ndal Ramos

Disfata në Champions, një sezon i mbyllur me zhurmë dhe zhgënjim, ndryshimi i trajnerit dhe shumë detaje të tjera, kanë tronditur jo pak Inter, me ekipin zikaltër që ka humbur shumë nga statusi dhe shkëlqimi i fituar në vitet e fundit. Me Chivu-n në stol, në ndeshjen e tij debutuese në Botërorin e Klubeve, Inter nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 përballë meksikanëve të Monterrey, mbase ishin dhe me fat që dolën me një pikë, në një kohë kur prodhuan pak dhe rrezikuan shumë. Interesimi ishte i madh për të parë në aksion ekipin e Chivu-t, me këtë të fundit që i besoi një fanellë titullari Kristjan Asllanit.

MARKETING

Pas 25 minutash lojë, një legjendë si Sergio Ramos i ndëshkoi në mënyrën e tij, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, ku me kokë në zonë dërgoi topin në rrjetë. Në fundin e pjesës së parë, Asllani ideoi një skemë perfekte, gjatë një goditje dënimi, gjeti në zonë Carlos Augusto, me këtë të fundit që shërbeu pastër për Martinez, kapiteni e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë duke barazuar shifrat në 1-1.

Në fraksionin e dytë, Chivu ndryshoi edhe modul duke kaluar ekipin në 3-4-2-1, por kjo skemë solli konfuzion duke bërë që Monterrey t’i shkonte shumë pranë golit të avantazhit në disa momente, madje ishin dhe të pafat teksa goditën shtyllën pingule. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Inter që e nis me një “X”-s këtë aventurë në Botërorin e Klubeve.

 

 

Grupi E, ku bën pjesë Inter, kryesohet nga River Plate, me ekipin argjentinas që triumfoi 3-1 në sfidën e parë kundër Urawa Reds.

MARKETING