(VIDEO) Në Strugë dhe Gostivar janë arrestuar katër persona, dyshohen për terr’orizëm

(VIDEO) Në Strugë dhe Gostivar janë arrestuar katër persona, dyshohen për terr’orizëm

Katër persona për të cilët autoritetet maqedonase kanë dyshime të arsyeshme se kishin planifikuar të organizonin ngjarje që do të rrezikonin sigurinë e Maqedonisë  së Veriut dhe të shteteve të tjera, janë arrestuar këtë mëngjes në një aksion policor të zhvilluar në Strugë dhe Gostivar, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Ai shtoi se janë kryer kontrollime në disa lokacione dhe për personat e përfshirë tha se ata kishin qenë pjesë e organizatave terroriste, të cilat, në bashkëpunim me individë jashtë shtetit, ishin ndjekur për një periudhë të gjatë nga organet kompetente të sigurisë dhe se për ta ishte vepruar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë të vendit.

PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Kemi mjaft prova që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se këta persona kishin vepruar me qëllim të organizonin në të ardhmen ngjarje të padëshiruara që mund të rrezikonin sigurinë si të Maqedonisë, ashtu edhe të shteteve të tjera. Qëllimi i tyre ka qenë të indoktrinojnë njerëz të tjerë nga Ballkani që mund të vepronin në përputhje me realizimin e qëllimeve të tyre”.

Të katër personat janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, dhe pritet që gjatë ditës të paraqiten para një gjykatësi për një procedurë paraprake.

Ministri theksoi se vepra penale për të cilën është paraqitur denoncimi është organizatë terroriste, ndërsa sa I përket motiveve , ai tha se kanë dyshime të arsyeshme se janë të lidhur me grupe të caktuara që mbështesin grupe ekstremiste dhe fetare. /SHENJA/

 

 

.

 

MARKETING