Salih Murat kërkon nga institucionet luftë efektive kundër FETO-s
Deputeti Salih Murat i zgjedhur nga Fronti Evropian ka reaguar përmes një letre – ku ju drejtohet në emër të komunitetit turk në vend me disa pyetje parlamentare në lidhje me FETO-n: Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Brendshme dhe atij të Drejtësisë.
Në vijim e gjeni letrën e plotë të deputetit Salih Murat:
“Si deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, jam thellësisht i shqetësuar për praninë dhe veprimtaritë e organizatës terroriste FETO në vendin tonë, duke pasur parasysh që Maqedonia e Veriut është aleate strategjike e Turqisë. Kjo organizatë, e cila dëmtoi rëndë demokracinë turke me përpjekjen për grusht shteti më 15 korrik, përbën kërcënim për sigurinë tonë kombëtare me aktivitetet e saj në vendin tonë.
Në emër të komunitetit turk në Maqedoni, është me rëndësi kritike që kjo organizatë të monitorohet, të hetohet dhe të ndërmerren veprime ligjore. Duke marrë parasysh aleancën tonë strategjike me Turqinë dhe vlerat tona të përbashkëta demokratike, i kam dorëzuar një interpelancë parlamentare me 7 pika Kryeministrit, Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Drejtësisë për ndërmarrjen e hapave efektivë në luftën kundër FETO-s.
Organizata terroriste FETO, e cila synon të dëmtojë unitetin dhe integritetin e Republikës së Turqisë, e cila dëmton miqësinë dhe partneritetin strategjik midis Maqedonisë dhe Turqisë, dhe që me qëndrimet dhe aktivitetet e saj të paligjshme kundër atdheut tonë, shkakton dëme të mëdha për turqit e Maqedonisë dhe popujt miq, përbën një kërcënim serioz për të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet tona dypalëshe.
Për këtë arsye, ftoj shtetin dhe qeverinë e Maqedonisë që të ndërmarrin hapa më të vendosur dhe më efektivë në luftën kundër FETO-s.”