Reagon kabineti i kryeparalmentarit Gashi: Udhëtimi në Kosovë sipas ligjit dhe procedurave
Nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kanë reaguar pas lajmeve në media se ai gjatë ditës së djeshme me veturë zyrtare ka udhëtuar për në Kosovë. Në reagim thuhet se kryetari i Kuvendit përcillet nga sigurimi 24/7, dhe se ky rend i sigurisë funksionin saktë siç parasheh ligji dhe është në pajtim me të gjitha protokollet.
“Më 17 gusht 2024, Kryetari i Kuvendit, së bashku me familjen e tij, ka udhëtuar për në shtetin fqinj, në Kosovë. Kjo vizitë ka qenë tërësisht transparente dhe i ka respektuar të gjitha procedurat e nevojshme të sigurisë. Para nisjes janë njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Jashtme dhe është dorëzuar gjithë dokumentacioni i nevojshëm sipas protokollit për çdo zyrtar që largohet nga vendi.
Autoritetet kompetente mund ta konfirmojnë këtë informacion, se të gjitha procedurat janë në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në reagimin e Kabinetit të kryetarit të Kuvendit.
Ndryshe lidhur me rastin kanë reaguar edhe nga MPB të cilët kanë thënë se janë duke hetuar rastin për të parë nëse janë respektuar të gjitha protokollet e nevojshme dhe nëse ka patur keqpërdorim të makinave zyrtare.