Ylber Ramadani i thotë lamtumirë Serie A, mbyll aventurën me Leccen
Ylber Ramadani i thotë lamtumirën Serie A. Mesfushori i kombëtares shqiptare, pas 3 vitesh, e mbyll aventurën e tij me klubin e Lecces për të vijuar karrierën e tij në futbollin turk me skuadrën e Corum FK.
Futbollisti iu drejtua rrjeteve sociale për të përshëndetur klubin e Lecces teksa publikoi një video me momentet e tij më të mira me skuadrën puljeze të shoqëruar me një mesazh falënderues dhe mirënjohjeje.
‘Lecce, shtëpia ime, dua të të falënderoj nga thellësia e zemrës sime për këto 3 vite që kam kaluar këtu, është sikur te kem jetuar këtu për 30 vjet. Dua të falënderoj drejtorin Corvino Trinchera dhe presidentin. Dua të falenderoj të gjithë trajnerët e mi që më kanë ndjekur këto 3 vite te Lecce dhe në fund të gjithë tifozët e mrekullueshëm që më kanë mbështetur gjithnjë si në momentet e bukura dhe ato të vështira. Ju uroj të gjithëve më të mirën. Do t’ju ndjek gjithmonë Lecce’-shkruante në postimin e tij në Instagram, Ylber Ramadani.

