VLEN: Për 35 vjet studentët shqiptarë e dhanë jurisprudencën në maqedonisht, ne po e ndryshojmë këtë

VLEN: Për 35 vjet studentët shqiptarë e dhanë jurisprudencën në maqedonisht, ne po e ndryshojmë këtë

Pas dekadash pritjeje, studentët shqiptarë do të kenë mundësinë që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe. Kështu deklaroi sot Afan Elezi nga VLEN, në një konferencë për media, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për avancimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në vend.

MARKETING

Shik.mk

Sipas Elezit, ky vendim vjen pas 35 vitesh nga pavarësimi i shtetit dhe 58 vitesh nga miratimi i ligjit të parë për provimin e jurisprudencës.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një çështje që ka prekur me dekada gjenerata të tëra të studentëve shqiptarë, të cilët, ndonëse studimet i kanë ndjekur në gjuhën shqipe, janë detyruar që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën maqedonase.

„Për vite me radhë, studentët shqiptarë i kanë kryer studimet në gjuhën shqipe, por kur vinte momenti i provimit të jurisprudencës, detyroheshin ta jepnin atë në maqedonisht. Kjo ishte një pengesë që breza të tërë e kanë përjetuar, ndërsa pushtetet e kaluara nuk arritën ta zgjidhnin“, deklaroi Elezi.

Duke komentuar kritikat e opozitës, Elezi iu drejtua drejtpërdrejt deputetit të BDI-së, Arbër Ademi, duke e pyetur se në cilën gjuhë e kishte dhënë provimin e jurisprudencës në vitin 2016.

„Nëse edhe ju, si jurist shqiptar, jeni detyruar ta jepni provimin në maqedonisht, atëherë me çfarë të drejte sot dilni të flisni për patriotizëm dhe të mbani leksione për gjuhën shqipe, kur gjatë pushtetit tuaj tetë herë keni udhëhequr me Ministrinë e Drejtësisë?“, u shpreh Elezi.

Ai shtoi se, sipas tij, të drejtat e shqiptarëve nuk mund të mbrohen vetëm përmes deklaratave politike, por duhet të konkretizohen përmes vendimeve dhe veprimeve institucionale.

„Nuk mund të kërkosh besimin e shqiptarëve duke u paraqitur si mbrojtës i të drejtave të tyre, ndërkohë që ke pasur mundësi institucionale për t’i avancuar dhe nuk e ke bërë. Për shqiptarët nuk mjaftojnë deklaratat dhe fjalimet. Ata presin që të drejtat e tyre të zbatohen në vendime konkrete“, theksoi ai.

Në fund, Elezi tha se VLEN nuk ka ardhur në pushtet për të trashëguar arsyetimet e qeverive të kaluara, por për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet që, sipas tij, kanë mbetur pezull për dekada.

„Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe është një prej tyre. Dhe ky nuk do të jetë i fundit. Urime studentëve shqiptarë! Kjo e drejtë u takon dhe tashmë po merr rrugën e realizimit“, përfundoi Elezi.

MARKETING