(VIDEO) Rritet kostoja e jetesës, për një vit transporti rritet për 9.5%, inflacioni është 3.3%
Gjithçka po shtrenjtohet në Maqedoninë e Veriut, nga ushqimi e deri tek veshmbathja, por një gjë vazhdon të mbetet statike, e ajo është paga, ndërsa betejën me këtë të fundit e ka humbur edhe tranporti, pasi edhe çmimi i biletave të udhëtimit ështër rritur. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, rritja më e theksuar është regjistruar te kostot e transportit, të cilat brenda një viti janë rritur për 9.5 për qind. Shtrenjtimi ka prekur edhe ushqimet, veshmbathjen dhe shpenzimet e tjera bazë të amvisërive. Nga atje sqarojnë se inflacioni në tetor ka arritur në 3.3 për qind në nivel vjetor, ndërsa krahasuar me shtatorin çmimet janë rritur për 0.4 për qind.
ENTI SHTETËROR I STATISTIKAVE
“Veçanërisht të rëndësishme janë të dhënat për transportin, ku çmimet u rritën me 9.5 përqind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, që përfaqëson rritjen më të madhe vjetore midis kategorive kryesore të shpenzimeve të jetesës. Në të njëjtën kohë, në tetor transporti shënoi një rënie mujore të çmimeve prej 0.3 përqind”.
Siç njoftojnë nga Enti, edhe ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur në çmim me 0.7 përqind në tetor krahasuar me muajin e kaluar, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet e tyre janë 2.1 përqind më të larta. Një rritje prej 0.3 përqind në bazë mujore është regjistruar edhe në kostot e strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, një kategori që ka shënuar një rritje vjetore prej 3.7 përqind.
ENTI SHTETËROR I STATISTIKAVE
“Rritje çmimesh u regjistrua edhe në kategori të tjera. Veshjet dhe këpucët janë 2.6 përqind më të shtrenjta në vit, kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat dhe shërbimet e ndryshme me 2.1 përqind, ndërsa mallrat shtëpiake, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e tyre e rregullt shënuan një rritje prej 1.2 përqind”.
Në kujdesin shëndetësor, nga atje informojnë se rritja vjetore është 1.3 përqind, dhe sigurimet dhe shërbimet financiare janë rritur në çmim me 0.3 përqind. Ndërkohë, vetëm në informacion dhe komunikim është regjistruar një rënie minimale vjetore prej 0.1 përqind.
Samir Mustafa /SHENJA/

