VLEN: BDI po vazhdon ta forcojë VMRO-DPMNE-në me gënjeshtra për kinse “deshqiptarizim”

VLEN: BDI po vazhdon ta forcojë VMRO-DPMNE-në me gënjeshtra për kinse “deshqiptarizim”

VLEN sot përmes një kumtese ka akuzuar BDI-në se po vazhdon ta forcojë VMRO-DPMNE-në me gënjeshtra për kinse “deshqiptarizim”.

MARKETING

Description of image

“BDI tjetër gjë flet para opinionit, krejt tjetër gjë bën pas perdeve. Kështu, Ahmeti gjatë fushatës, në stil “maço”, shpërndante “keksa dhe gurabi”, e që më pas, kur e pa rezultatin, të ofrohej me katër ministri, pa kryetar Kuvendi, vetëm që të futej në Qeveri në vend të VLEN-it. Në opinion kërcënoheshin me “çizme në tavan”, ndërsa në terren, me urdhër të LSDM-së, arrestonin shqiptarë të pafajshëm vetëm pse kishin guximin të mbronin të vërtetën për spitalin modular.

Nëse dikush ka punuar drejtpërdrejt kundër interesave të shqiptarëve, ai është Ali Ahmeti dhe mjeshtri i intrigave oborrtare, Bujar Osmani – njeriu që solli Lavrovin në Shkup, që shpërndante tenderë për rent-a-car si bakshish për njerëzit e vet dhe ndante pasaporta diplomatike majtas e djathtas, përfshirë edhe Tatjana Dimitrovskën, sot e dyshuar për shpërndarje të sekretit zyrtar në rastin “Aditivi”.

Vetëm të verbërit politik nuk shohin se nëse zgjedhjet lokale dhe parlamentare mbahen bashkë, VMRO-DPMNE do të fitojë me mbi 60 deputetë. BDI nuk nxori asnjë mësim. Përkundrazi, vazhdon ta forcojë VMRO-DPMNE-në me gënjeshtra për kinse “deshqiptarizim”, duke frikësuar popullin e vet me përralla boshe.

Por shqiptarët nuk janë naivë! Ata e dinë fare mirë që “Qeveria e Përzhinës” i duhet BDI-së vetëm për një arsye: për të shpëtuar krimin e Ali Ahmetit dhe për të fshehur dosjet që po i dalin përditë!

Sot, BDI ngjan me një nxënës të trembur që ka harruar detyrat e shtëpisë dhe vrapon nga një cep në tjetrin duke kërkuar shpëtim, sepse e di mirë që pa kontroll mbi MPB-në dhe institucionet shtetërore nuk është asgjë”, thonë nga VLEN.

MARKETING