VLEN: BDI-ja dy dekada ishte në pushtet, por nuk ia ka haberin ligjeve
VLEN ka reaguar ndaj akuzave të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) lidhur me statusin juridik të subjekteve politike që kanë qenë pjesë e këtij formacioni politik, duke i cilësuar pretendimet e BDI-së si propagandë politike.
Nga VLEN-i thonë se në zgjedhjet lokale partia nuk ka garuar si subjekt politik i regjistruar, ndërsa partitë që përbënin VLEN-in, pas rezultateve të arritura në zgjedhje, kanë fituar të drejta dhe detyrime konkrete që burojnë nga procesi zgjedhor.
“Pikërisht për këtë, kalimi i pesë faktorëve politikë në VLEN si një parti e vetme po zhvillohet në faza, në përputhje me ligjet dhe procedurat që përcakton rregullativa”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Partia mohon të ketë ndonjë fshehtësi apo mashtrim në këtë proces, duke theksuar se bëhet fjalë për një procedurë ligjore.
“Këtu nuk ka asnjë sekret dhe asnjë mashtrim. Ka vetëm një procedurë ligjore, të cilën BDI-ja ose nuk e kupton, ose qëllimisht shtiret sikur nuk e kupton, për të prodhuar propagandë të lirë”, thuhet më tej në reagim.
VLEN përmend edhe pesë faktorët politikë që, sipas saj, kanë ndërtuar këtë projekt politik – Alternativën, Besën, Lëvizjen Demokratike, Aleancën për Shqiptarët dhe Vetëvendosjen.
Në reagimin e saj, VLEN shprehet se këto subjekte do të mbeten të shënuara në historinë politike shqiptare si faktorët që, sipas tyre, e mundën BDI-në.
“VLEN-i do ta dërgojë në pension të përhershëm politik këtë udhëheqje të pareformuar, e cila funksionon si një politbyro”, përfundon reagimi i partisë.

