Vizë e re për Umren: Pelegrinët mund të hyjnë disa herë gjatë një viti
Ministria e Haxhit dhe Umres në Arabinë Saudite ka njoftuar për një sistem të ri vizash, që mundësojnë më shumë hyrje gjatë një viti për pelegrinët e Umres. Me vizën e re, e vlefshme për 365 ditë nga data e lëshimit, vizitorët mund të hyjnë disa herë në qytetet e shenjta për të kryer Umren, me një qëndrim të përgjithshëm jo më të gjatë se 90 ditë.
Sipas Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA), kjo masë “përputhet me Vizionin Saudit 2030 dhe objektivat e Programit të Përvojës së Pelegrinëve për të lehtësuar ardhjen, për të pasuruar përvojën e pelegrinëve dhe për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve”, shkruajnë mediat e huaja.
Pelegrinët mund ta përdorin vizën e re vetëm nëse blejnë një paketë shërbimesh për Umre nga ofruesi i miratuar përmes platformës saudite Nusuk Umrah për çdo vizitë. Platforma është një “pikë unike digjitale” e Mbretërisë, e cila ofron lëshimin e vizave, akomodimin, transportin dhe rezervimet e fluturimeve për pelegrinët.
Kohëzgjatja e paketës nuk duhet të tejkalojë numrin e ditëve të mbetura në vizë, ndërsa udhëtarët duhet të sigurojnë lejen për Umre përmes platformës Nusuk para mbërritjes në Arabinë Saudite.
“Ministria konfirmoi se viza rrit fleksibilitetin në planifikimin e vizitave dhe mbështet integrimin e shërbimeve digjitale dhe operative gjatë gjithë udhëtimit të pelegrinit”, njoftoi SPA.
Pas përfundimit të pelegrinazhit dhe largimit nga vendi, viza çaktivizohet. Ajo mund të riaktivizohet për vizitën e ardhshme, pasi pelegrini të plotësojë kërkesat rregullatore. Gjithashtu, ajo mbetet joaktive gjatë sezonit vjetor të Haxhit.

