Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia riafirmojnë marrëdhëniet miqësore dhe mbështetjen për integrimin evropian
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka pritur ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Juraj Blanar, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga Kabineti i Presidentes, në takim janë konfirmuar marrëdhëniet miqësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Sllovakisë.
Siljanovska-Davkova ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme sllovake për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se procesi i anëtarësimit duhet të jetë i besueshëm, i parashikueshëm dhe i bazuar në merita dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.
Sipas saj, integrimi gradual dhe qasja në tregun e përbashkët evropian, fondet e BE-së dhe programet e përbashkëta çojnë drejt afrimit me Unionin, por nuk mund ta zëvendësojnë anëtarësimin e plotë.
Ajo ka shprehur gatishmërinë për një dialog gjithëpërfshirës me Republikën e Bullgarisë, në frymën e parimeve dhe vlerave evropiane të garantuara në dokumentet themeluese.
Ministri Blanar ka rikonfirmuar interesimin dhe përkushtimin e Sllovakisë për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut.
Ai ka shprehur mbështetje të fuqishme për dialogun mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke e cilësuar atë si të vetmen mënyrë për tejkalimin e problemeve.
Ministri ka theksuar se Sllovakia është kundër çdo standardi të dyfishtë në trajtimin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE.
Blanar më herët gjatë ditës u prit edhe nga homologu Timço Mucunski.

