(VIDEO) Zyrtarizohet nisja e autostradës Shkup-Bllacë
Njëra ndër autostradat më të përfolura në opinion, ajo Shkup-Bllacë, pritet të fillojë të ndërtohet. Këtë e paralajmëroi zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, e cila tha ky është një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që do të lidhë më ngushtë Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Sipas Zekollit, gjatë një takimi pune me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanoski, dhe drejtorin e BERZH-it, Fatih Türkmenoğlu, është konfirmuar se projektin do ta realizojë konsorciumi i udhëhequr nga kompania vendore “Granit”.
KALTRINA ZEKOLLI-SHAQIRI, ZV/MINISTRE E TRANPSORTIT DHE LIDHJEVE
“Një lajm i madh për të gjithë qytetarët në të dyja anët e kufirit. Po nënshkruhet leja për fillimit e punimeve në rrugën Shkup-Bllacë, rruga që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën mbetët autostradë, ashtu siç u premtua. Pas shumë vitesh pritjeje, për vetëm gjysmën e mandatit po e nisim këtë projekt, që do ta bëjë lëvizjen më të shpejtë, më të sigurtë dhe do ti afrojë edhe më shumë njerëzit, familjet dhe bizneset mes dy vendeve. Shkupi dhe Prishtina një hap më afër”.
Zv/ministrja theksoi se ky projekt do të forcojë lidhjet ekonomike dhe tregtare, do të krijojë mundësi të reja për investime dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të rajonit. Projekti parashikon ndërtimin e pesë tuneleve, dy galerive dhe 12 urave, ndërsa së bashku me objektet e tjera infrastrukturore më të vogla, në terren do të realizohen gjithsej 40 objekte. Pas përfundimit të procedurave administrative dhe sigurimit të garancive të nevojshme, pritet të nisin punimet në terren.
Samir Mustafa /SHENJA/

