(VIDEO) Zjarret ndezin debatin për keqmenaxhimin e ndërmarrjeve publike gjatë qeverisjeve të kaluara
I nxehti përvëlues që është duke vazhduar po shkakton edhe vatra të shumta të zjarreve. Zjarrfkësit, të mbështetur edhe nga pjesëtarët e ushtrisë dhe të policisë po mundohen që t’i vënë nën kontroll ato. Por, kjo po del të jetë punë e vështirë dhe arsyja kryesore është mungesa e pajisjeve të reja të zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve tjera publike. Këtë fenomen e theksoi së fundi edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili fajësoi pushtetin e mëparëshëm të drejtuar nga LSDM-ja. Në këtë frymë ka reaguar edhe drejtori i Qendrës së Menaxhimit të Krizave, Stojançe Angelov, i cili e ka ruajtur këtë post pasi që partia që ai drejton e braktisi LSDM-në për t’i bashkuar koalicionin të drejtuar nga VMRO-ja. Angelov ka publikuar një video ku shihet një kamionetë e vjetër 38-vjet, që është shfrytëzuar për të ndihmuar shuarjen e një vatre zjarri në lokacionin Serta.
Angelov: Po e shohim këtë makinë e cila vërtet duket se ka linja të mira dhe duket e vjetër, sa është e vjetër në cilin vit është e regjistruar?
Vetura është regjistruar në vitin 1986…
Angelov: Sa vjet ka?
38 vjet..
Angelov: Do të thotë vetura ka 38 vjet, duket një “oldtajmer” i mrekullueshëm..Mendoj se këta njerëz duhet të drejtojnë makina më të mira, më të reja…Po e shohim pjesën e brendshme të makinës…
Angelov ka ironizuar duke theksuar se një veturë e tillë do të shitej me çmim të lartë në tregun e veturave të vjetra, duke theksuar se nuk është e përshtatshme për të shërbyer për shuarjen e zjarreve.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 30 zjarre nga të cilat 9 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive edhe sot. Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojance Angelov, ka njoftuar se gjashtë zjarre janë vënë në kontroll ndërsa në 15 zjarret e shuara ekziston mundësia e riaktivizimit të zjarrit. Prioritet më të madh në shuarjen e zjarrit kanë vatrat në komunën e Çashkës, ku janë dërguar dy helikopter, edhe në Makedonski Brod, ku për shkak të tymit të dendur , helikopteri i ushtrisë nuk ka mundur të kryej detyrën në shuarjen e zjarrit. Përpjekje të mëdha gjithashtu po bëhen edhe në Kavadar, afër fshatit Farish si dhe në komunën e Gradsko, afër Krivolakut, ku është përfshirë një zjarr i madh përgjat një linje prej 10 kilometrash.
Merxhane Iseni /SHENJA/