(VIDEO) Zëvendëspresidentja bullgare: Nuk ka BE nëse nuk futen bullgarët në kushtetutë

(VIDEO) Zëvendëspresidentja bullgare: Nuk ka BE nëse nuk futen bullgarët në kushtetutë

Krerët e shtetit bullgar po përsërisin kërcënimin se nuk do të lejojnë që Maqedonia e Veriut të bëjë hapa prej Bashkimit Evropian nëse nuk realizohet premtimi për futjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë. Zëvendëspresidentja e Bullgarisë Iliana Jotova, e ripërsëriti qëndrimin e njohur bullgar gjatë vizitës në ambasadën bullgare në Shkup, ku ndër të tjera bëri ceremoni nderimi për heroin kombëtar bullgar Vasil Levski. Jotova i përgëzoi anëtarët e misionit diplomatik bullgar në Republikën e Maqedonisë së Veriut për “guximin e tyre për të ruajtur ndërgjegjësimin, traditat, gjuhën dhe historinë e tyre”, ndërsa përsëriti paralajmërimin për krerët qeveritarë në Shkup.

ILIANA JOTOVA, ZËVENDËSPRESIDENTE E BULLGARISË

“Nëse bullgarët nuk përfshihen në kushtetutën e vendit, nuk do të ketë asnjë pëllëmbë përparim në negociatat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Evropë. Nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare e as raport të Komisionit Evropian për të nisur negociatat reale drejt BE-së”

Jotova përmendi edhe incidentin e rrahjes së sekretarit të qendrës kulturore bullgare në Ohër, Hristijan Pendikov, ndërsa deklaroi se autoritetet në Sofje po ndjekin me vëmendje hetimin e këtij rasti. “Nuk janë dokumentet bullgare, por vetëbesimi bullgar që të bën bullgar”, theksoi Jotova.

Zëvendëspresidentja bullgare deklaroi se synojnë të ulin tensionet dhe të luftojnë çdo ditë kundër kësaj gjuhe të tmerrshme të urrejtjes ndaj Bullgarisë dhe përpjekjeve për të diskriminuar bullgarët në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, Jotova ka deklaruar se pavarësisht se çfarë veprimesh ndërmerr Shkupi, Bullgaria nuk do të tërhiqet nga marrëveshjet që kanë nënshkruar të dyja vendet.

/SHENJA/

MARKETING