(VIDEO) Ademi: Qeveria VMRO-VLEN hapi rrugën për hyrjen e “Alta Bankës”
“E vërteta është një dhe nuk është dy”, kështu u shpreh Arbër Ademi nga BDI, duke akuzuar shumicën qeverisëse për manipulim të opinionit lidhur me rastin e Alta Bankës. Ai tha se vendimet për hyrjen e kësaj banke në Maqedoninë e Veriut janë marrë pas formimit të qeverisë aktuale, në vitin 2024, dhe mbajnë vulën e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it. Ndërkaq, vendimin e 24 tetorit 2023, kur BDI ishte pjesë e qeverisë, Ademi e cilësoi si përpjekje për të mbrojtur kapitalin dhe aksionet e shtetit maqedonas në një bankë në Beograd, të cilat, sipas tij, ishin blerë nga Alta Banka pa pëlqimin e Maqedonisë së Veriut.
Arbër Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI
“Pra ata në përpjekje për tu shfajsuar për veprimet e veta, përgjegjës bëjnë dikë tjetër por e vërteta është një dhe nuk është dy. Të gjitha vendimet për hyrjen e Alta Bankës në RMV dhe të Davur Macura-s kapitalit serb mbajnë vulën e kësaj Qeverie, mbajnë vulën e VMRO-DPMNE-së dhe të VLEN-it. Pra më 24 tetor 2023 Qeveria e RMV-së në të cilën bënte pjesë Bashkimi Demokratik për Integrim, sjell vendim për të mbrojtur kapitalin e shtetit kundrejt Alta Bankës, pra bëhet fjalë për aksione të cilat RMV në bazë të suksecionit i ka trashëguar në një bankë në Beograd, të njëjtën bankë në ndërkohë e blen Alta Banka, në ndërkohë Alta Banka në Beograd po ashtu pa pëlqimin e RMV-së blen aksionet e shtetit të Maqedonisë në Beograd dhe kuptohet se Qeveria jonë dhe sa kemi qenë në pushtet nuk kemi mundur që të rrijmë duarkryq në gjithë këtë proces”.
Ndërkohë Ademi theksoi se Qeveria e atëhershme nuk kishte qëndruar duarkryq përballë këtij procesi, por kishte angazhuar Avokatin e Shtetit për të mbrojtur interesat, kapitalin dhe aksionet e shtetit, pas blerjes së tyre nga Alta Banka pa pëlqimin e Maqedonisë së Veriut.
Arbër Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI
“Prandaj, sot kërkojmë përgjigje nga Mickoski dhe ministrat e VLEN-it: Kush e kontrolloi prejardhjen e kapitalit? Çfarë verifikimesh u bënë për pronarët e bankës? Pse Qeveria u përfshi në trajtimin e ofertës nga institucionet publike dhe çfarë vendosën konkretisht ato? Çfarë përgjegjësie mban secili institucion, përfshirë Komisionin e drejtuar nga Bujare Abazi, për vendimet që ka marrë? Qytetarët meritojnë dokumentet dhe përgjigjet, jo përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te një vendim i vitit 2023 që kishte krejt tjetër qëllim”.
Ndërsa, duke hedhur poshtë pretendimet e pushtetit, Ademi përsëriti se vendimi i vitit 2023 kishte për qëllim mbrojtjen e interesave shtetërore dhe nuk kishte të bënte me hyrjen e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut.
Anida Murati /SHENJA/

