(VIDEO) Shoqëritë e avokatëve?!, Mickoski: Grupe të organizuara manipulojnë tenderët
Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi se në vend ekzistojnë shoqëri të avokatëve dhe kompani që me vetëdije dakordohen mes tyre që tenderët publikë të dështojnë, në mënyrë që më pas, përmes procedurave të ankesave, të përfitojnë shuma parash të cilat në disa raste janë më të larta se vetë vlera e tenderit publik. Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me ndryshimet e fundit në Ligjin për Prokurimet Publike, të cilat janë kritikuar nga opozita për disa arsye, iu referua konkretisht ndryshimit të Ligjit, me të cilin u dyfishua kufiri për prokurimet pa procedurë tenderimi, nga 5.000 në 10.000 euro.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kjo bëhet për të mos u gjendur në një situatë ku duhet të paguajmë më shumë për ata që qëllimisht i pengojnë procedurat e prokurimit publik ose bëjnë shantazh, sesa sa është vetë vlera e prokurimit. Ndonjëherë ndodh që këto grupe të organizuara, të cilat qëllimisht paraqesin ankesa kundër tenderëve ose kanë tendencë ta bëjnë këtë, të përfitojnë nga shteti apo kompania shuma më të mëdha sesa vetë vlera e procedurës së tenderimit. Kjo nuk mund të ndodhë më dhe ata nuk do të mund ta bëjnë më këtë gjë.”
Mickoski tha se me këto ndryshime synohet të parandalohen manipulimet në procedurat e prokurimit dhe rastet kur shteti dhe institucionet paguajnë shuma më të mëdha sesa vetë vlera e tenderit publik.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ja një shembull: një kopsht fëmijësh shpall tender për servisimin e dritareve. Vlera e tij është 50.000 denarë. Dikush qëllimisht e pengon këtë tender, ndërsa përmes procedurës përfiton shumë më tepër se 50.000 denarë. Kjo nuk mund të ndodhë më. Ose, nëse dëshiron, në vend të 100 eurove që paguante deri më tani për ankesë, do të paguajë shumë më tepër. Pastaj le ta shohim nëse do të vazhdojë të paraqesë ankesa.”
Lidhur me propozimin e zgjidhjes ligjore, e cili parashikonte mundësinë e riemërimit të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike, Mickoski tha se ky propozim kishte ardhur si pasojë e mungesës së kuadrove profesionale në këtë fushë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

