(VIDEO) “Zef Lushi” dhe “Megjashi” shënojnë 15 vjetorin e bashkëpunimit për paqe
15 vjet punë dhe aktivitete për paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën u shënuan sot në Shkollën “Zef Lush Marku” në Shkup. Në bashkëpunim me Ambasadën e Parë për Fëmijë në Botë – Megjashi, shkolla u vlerësua për kontributin shumëvjeçar në kuadër të Arsimit Paqësor dhe u shpall shkolla e parë në vend me këtë vlerësim. Ndërkaq, drejtori i shkollës, Arben Memeti thekson se mirënjohja që pranuan sot është kurorëzim i punës shumëvjeçare të stafit tyre si dhe një shtysë për të vazhduar më tej.
Arben Memeti, Drejtor i ShMQSh “Zef Lush Marku”
“Mirënjohja që pranojmë sot është kurorëzim i kësaj pune shumëvjeçare, por njëkohësisht edhe motivim e përgjegjësi për të vazhduar më tej. Falenderoj ambasadën e parë për fëmijë në botë Megjashin, të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe bashkëpunëtorët që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, le të vazhdojmë së bashku të edukojmë breza që besojnë në paqe, dialog dhe mirëkuptim”.
Ndërkaq, themeluesi i Ambasadës së Parë për Fëmijë “Megjashi”, Dragi Zmijanac, theksoi se mirënjohja për gjimnazin “Zef Lush Marku” është vlerësim për përpjekjet e gjeneratave të nxënësve dhe stafit për të promovuar paqen, bashkëpunimin dhe respektin për dallimet.
Dragi Zmijanac, Themelues i Ambasadës së Parë për Fëmijë në Botë – MEGJASHI
“Si shkolla e parë në Shkup, ose njëra prej dy shkollave në Maqedoni që e merr këtë mirënjohje, mund të krenohen si gjeneratat e tashme dhe ato të mëparshme, ashtu edhe profesorët, mësuesit, prindërit dhe veçanërisht nxënësit. Sepse përmes tyre ne mund të shpresojmë vërtet se do të arrijmë të gjitha dallimet e mundshme t’i shndërrojmë në bashkëpunim dhe në ndërtim të urave për një jetë më të mirë”.
Ndërkohë profesori dhe koordinatori i shkollës “Zef Lush Marku”, Besim Limani, thekson se me kënaqësi të veçantë pranuan sot mirënjohjen për arsim paqësor.
Besim Limani, profesor dhe koordinator i ShMQSh “Zef Lush Marku”
“Ne me kënaqësi të veçantë pranuam mirënjohjen për arsim paqësor, që përfshin aktivitete të shumta, pjesëmarje në shumë aktivitete të ndryshme, prezantime, trajnime të profesorëve, disimilimet e nxënësve, të gjitha këto kanë ndodhur për 15 vjet që është një numër shumë i madh i përfshirë të cilët kanë kaluar nëpër arsim paqësor së bashku me ambasadën e parë për fëmijë Megjashi, kjo ishte një kurorëzim i gjithë asaj pune që kemi bërë për 15 vite, njëkohësisht na paraqet edhe motivim për të vazhduar më tutje”.
Ndërsa përfaqësuesja e ambasadës së fëmijëve MEGJASHI, Fatmire Ajdari Murseli, thotë se ky bashkëpunim 15 vjeçar është shumë i rëndësishëm për ta si dhe vlerësojnë jashtë mase kontributin e shkollave.
Fatmire Ajdari Murseli, përfaqësuese e ambasadës së fëmijëve MEGJASHI, punonjëse paqësore dhe aktiviste për paqe
“Ky bashkëpunim është mjaft i rëndësishëm për ne, ambasadën e fëmijëve Megjashi, si dhe në kuadër të programit për arsim paqësor, dhe e vlerësojmë jashtë mase angazhimin e të gjitha shkollave por sidomos të shkollave të cilat këtë vit për herë të parë janë zgjedhur si shkolla me kontribut më të madh për 15 vjetorin, dmth kanë pasur kontribut të vazhdueshëm në ndërtimin e paqes dhe jo dhunës, me aktivitetet e tyre dhe me pjesëmarjet në trajnime e kështu me radhë”.
Në kuadër të shënimit të këtij jubileu, nxënësit organizuan edhe një shfaqje të shkurtër, përmes së cilës përcollën mesazhe për paqen, tolerancën dhe bashkëjetesën. Ndërsa në hyrje të shkollës u vendos edhe tabela përkujtimore, si dëshmi e 15 viteve të bashkëpunimit dhe aktiviteteve në kuadër të Arsimit Paqësor.
Anida Murati /SHENJA/

