(VIDEO) Xhaferi merr detyrën dhe betohet për të vazhduar “rrugën euroatlantike”
Sot në qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bë pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të ri të qeverisë, ndërmjet ish kryeministrit, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrit të ri, Talat Xhaferit.
Në konferencë të përbashkët për media, Kovaçevski u lavdërua për punën që kanë bërë gjatë mandatit të tij, ndërsa Xhaferi informoi se çfarë do të bëjë qeveria teknike e udhëhequr nga ai.
Kryeministri i sapoemëruar theksoi se detyra primare e qeverisë së tij është organizimi i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale dhe ruajtja e aleancës me SHBA, BE dhe NATO.
TALAT XHAFERI, KRYEMINISTËR TEKNIK
“Do të zbatojmë të gjithë parakushtet ligjore për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Aleanca me SHBA, BE dhe NATO, mbetet prioritet i qeverisë së RMV, lëkundja mund të shfrytëzohet nga fuqi të treta. Ruajtja e kësaj aleance nuk ka alternativë tjetër. Integrimi si udhërrëfyes në platformën qeveritare, janë lart në agjendën e qeverisë. Pa marrë parasysh se sa do zgjasë kjo qeverisë, nuk do të mungojë funksionimi institucional në shërbim të qytetarëve. Mund të jemi të ndryshëm në këtë qeveri, por jemi aty falë legjitimitetit tuaj”.
Ndërkaq, ish kryeministri, Dimitar Kovaçevski, foli për reformat në vend të cilët janë bërë gjatë qeverisjes së tij si në financa, infrastrukturë, energjetikë dhe bujqësi.
DIMITAR KOVAÇEVSKI, ISH KRYEMINISTËR
“E kemi rikthyer tarifen e lirë të energjisë elektrike gjatë ditës, nga ora 13:00 deri në orën 15:00, me çka amvisëritë kursejnë 1000 denarë në muaj. Me masat anti krizë, arritëm të mbrojmë standardin e qytetarëve dhe falimentimin e kompanive”.
Ndryshe Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post. Për zgjedhjen e ekzekutivit, që ka mandat prej 100 ditësh, votuan 65 deputetë, 3 ishin kundër dhe asnjë abstenim.
Samir Mustafa /SHENJA/