(VIDEO) Vrangalla: Të krijohen kritere më të rrepta për prodhuesit e informacionit

(VIDEO) Vrangalla: Të krijohen kritere më të rrepta për prodhuesit e informacionit

Në kohën kur informacioni është vetëm një klikim larg, të rinjtë përballen çdo ditë me një vërshim lajmesh dhe përmbajtjesh në internet nga ku dallimi mes informacionit të saktë dhe dezinformimit po bëhet gjithnjë e më i vështirë.

Studimi “Gjenerata e Ardhshme – Çfarë Dimë: Dezinformimi/Keqinformimi në Ballkanin Perëndimor” tregon se të rinjtë e moshës 18 deri në 30 vjeç në gjashtë vendet e rajonit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, përballen me mbingarkesë informacioni dhe shpesh e vlerësojnë besueshmërinë e lajmeve përmes sinjaleve të shpejta, si burimi, numri i shpërndarjeve apo rekomandimet në rrjetet sociale, e jo përmes verifikimit të plotë.

Profesori I Universitetit “Nënë Tereza”, Agron Vrangalla, vlerëson se duhet të krijohen filtra dhe kritere më të rrepta për ata që prodhojnë informacion, pasi sipas tij, jo çdo person që ka mundësi të publikojë përmbajtje është domosdoshmërisht i kualifikuar për të prodhuar informacion.

Agron Vrangalla, doktor profesor

“Ma mer mendja që është shumë me rëndësi që të krijohen filtra ose të krijojnë kritere pak më të rrepta për ata që prodhojnë informacion. Sepse keni parasyshë që unë dhe ju mund të dimë të gatuajmë diçka në kuzhinë por nuk jemi shefa kuzhine, ose mund të dimë në aspekt shkencor të flasim për atone, elektrone, protone por nuk jemi ekspert të fizikës kuantike, kështu që edhe për të prodhuar informacion, mesiguri që duhet një lloj kualifikimi”.

Ai tha se edukimi mediatik duhet të shihet si një nevojë e domosdoshme në sistemin arsimor, pasi përmes tij të rinjtë do të pajiseshin me njohuri dhe aftësi për të dalluar informacionet e sakta nga dezinformatat.

Agron Vrangalla, doktor profesor

“Unë mendoj që është shumë e rëndësishme një gjë e tillë dhe përshembull ta zëmë nëqoftëse edukimi mediatik do të ishte lëndë obligative në fillore apo në të mesme, edhe pse ne vlerësojmë në fillore është shumë më  me rëndësi sepse është tamam mosha kur të rinjtë, ka potencial për të ju futur disa kanaleve jo të sigurta nëpër mediat sociale dhe në këtë mënyrë ne të paktën ndoshta nuk do ta ndalonim 100% por do të ishte një mekanizëm i rëndësishëm  që brezat të kenë një lloj formimi pak më të fuqishëm për sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale dhe mediumeve në përgjithësi”.

Ai theksoi se mungesa e njohurive bazë për verifikimin e informacionit shpesh çon në krijimin e një ambienti të kontaminuar mediatik, ku lajmet e rreme dhe dezinformatat mund të përhapen më lehtë. Prandaj, sipas tij, formimi i brezave të rinj me kulturë mediatike mbetet një nga hapat kryesorë për një shoqëri më të informuar dhe kritike.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING