(VIDEO) VMRO-DPMNE: Kovaçevski po e lut komandant Forinën dhe Ahmetin për lista të përbashkëta

(VIDEO) VMRO-DPMNE: Kovaçevski po e lut komandant Forinën dhe Ahmetin për lista të përbashkëta

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, edhe një herë konfirmoi  se ka bisedime me partitë tjera politike për pjesëmarrje në zgjedhje, por siç tha ai, ende nuk ka marrëveshje përfundimtare.

Dimitar kovaçevski, kryetar i LSDM-së

“Bisedimet me partnerët e koalicionit po zhvillohen në nivel të rregullt, por nuk ka marrëveshje përfundimtare, gjë që është normale sepse jemi në një fazë që zgjedhjet nuk janë shpallur. Megjithatë, ka bisedime me qëllim të formimit të një koalicioni me partitë politike që kanë të njëjtat vlera, që ndajnë të njëjtin vizion për vendin, dhe kjo është Maqedonia e Veriut, anëtare e BE-së, në krahasim me partitë e tjera politike që mbrojnë disa zgjidhje alternative që nuk na i shpjegojnë dhe që askush nuk mund t’i kuptojë, sepse askush as nuk i ka parë”.

Kovaçevski po ashtu tha se partia po përgatit aktivitete operative në raport me qytetet tjera dhe se është në proces procedura për kandidim për postin e presidentit të shtetit dhe për deputetë, e cila, siç shtoi ai, po zhvillohet në përputhje me dinamikën e miratuar në rregulloren dhe afatet e Bordit Qendror.

Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE thonë se LSDM në krye me Dimitar Kovaçevski, po e lusin Talat Xhaferin dhe Ali Ahmetin, që në zgjedhje të shkojnë me lista të përbashkëta. Deputeti Mile Lefkov nga kjo parti, thotë se LSDM kërkon ndihmë nga BDI edhe për zgjedhjet presidenciale.

MILE LEFKOV, DEPUTET I VMRO-SË

“Vetëm që të vazhdojnë me krimin dhe korrupsionin, e bënë Talat Xhaferin, ose komandant Forinën, kryeministër të Maqedonisë. Nënçmimet e Kovaçevskit në dëshirën për pushtet nuk kanë fund, ai e lut komandant Forinën dhe Ahmetin që ta mbështesin Stevo Pendarovskin dhe të kenë lista të përbashkëta”.

Ai akuzoi se Maqedonia çdo ditë e më shumë po tkuret dhe se Kovaçevski jep gjithçka për pushtet, “Nuk ka qenë kurrë më keq”, theksoi ai.

Enis Murtezi /SHENJA/

MARKETING