(VIDEO) VLEN dhe VMRO gati kuadrot e eshalonit të tretë

(VIDEO) VLEN dhe VMRO gati kuadrot e eshalonit të tretë

Koalicioni VLEN po finalizon marrëveshjen me VMRO-DPMNE-në, për bashkëqeverisje. Jo zyrtarisht mësohet se po finalizohet edhe udhëheqja e institucioneve të eshalonit të tretë.

MEPSO, Posta e Maqedonisë, Rrugët e Maqedonisë, Drejtoria për zbulim financiar, Librat Amë, Rezervat shtetërore, do të jenë nën udhëheqjen e koalicionit VLEN. Ata mësohet se do të bartin kryesisht institucionet, që kanë qenë kuadro të BDI-së. Ndërsa zëvendës drejtorë, jozyrtarisht mësohet se do të kenë në Doganë, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, ELEM, Fondin Pensional, Policinë Financiare, Fondin Shëndetësor.

VLEN do të ketë disa drejtorë në Qendrën Klinike.

Pozita zëvendësdrejtorësh mësohet se do të kenë edhe në MRTV dhe MIA, pozita e drejtorit në NP Kullosat, Agjencia për Informacione të Klasifikuara, Metrologji, si dhe pozita e zëvendësdrejtorit në Pyjet Shtetërore.

VLEN do të menaxhojë edhe disa teatro, Filharoninë, ndërsa do të emërojnë edhe zëvendësdrejtor në Bibliotekën Universitare në Shkup. Nga institucionet e burgjeve merr dy drejtorë dhe tre zëvendësdrejtorë. Kuadro të kësaj partie do të menaxhojnë burgun e Strugës dhe Tetovës, ndërsa zëvendës do të ketë në burgun e Ohrit, Shutkës dhe Kumanovës.

Jozyrtarisht bëhet fjalë për rreth 400 poste udhëheqëse, përfshirë edhe ato në nivel të njësive rajonale në mbarë vendin.

Sipas paralajmërimeve të VMRO-së, Qeveria e re do të formohet para afatit të përcaktuar kohor, pra para 27 qershorit.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING