(VIDEO) Tre persona administrojnë Alta Bankën, për 21 ditë duhet të zbardhin gjendjen
Ilija Andovski, Vesna Stojçevska dhe Marija Todorovska janë tre administratorët e emëruar nga Banka Popullore për Alta Bankën SHA Manastir. Ata duhet që brenda 21 ditësh të përcaktojnë gjendjen. Administratorët do të kenë kompetencat e Bordit Drejtues dhe Mbikqyrës si dhe të Kuvendit të Aksionarëve, me përjashtim të vendimit për rritjen e kapitalit. Ndërsa njëri prej tyre Ilija Andovski do të jetë i autorizuar edhe për të nënshkruar vendimet gjatë periudhës së administrimit.
Administratorët do të kenë qasje në të gjitha dokumentet e bankës dhe te të gjitha informacionet dhe raportet e punës së bankës. Gjithashtu do të kenë qasje te hapsirat, prona, librat tregtarë të Alta Bankës dhe janë të obliguar të ndërmarrin veprime për mbrojtjen e pronës dhe dokumentacionit të bankës. Vendimi për administratorët është publikuar edhe në “Gazetën Zyrtare”.
Gazeta Zyrtare e RMV-së
“Në qoftë se administratorët në çfarëdo mënyrë pengohen për të hyrë në hapsirat e ‘Alta Bankës SHA Manastir’, qasja do të sigurohet me ndihmën e MPB-së. Administratorët kanë të drejtë ta largojnë çdo person që e pengon punën e tyre, ndërsa kur është e nevojshme, mund edhe të kërkojnë ndihmë nga MPB”.
Ndërkohë, guvernatori Trajko Sllaveski gjatë një interviste në TV Telma, njoftoi se po përgatisin një zgjidhje të veçantë për pagesën e pensioneve të pothuajse 3 500 pensionistëve që marrin pension përmes Alta Bankës dhe nuk kanë kartela pagesore. Shtoi se po shikohet mundësia për tërheqje të njëhershme deri në 20 000 denarë në sportel, ndërsa njëkohësisht thotë se po kërkojnë zgjidhje edhe për kompanitë që kanë mjete në bankë, ndërsa duhet të paguajnë pagat dhe të shlyejnë detyrimet tatimore dhe të kontributeve.
Trajko Sllaveski, guvernator
“Prej gjithësej 11.500 pensionistëve që marrin pension përmes bankës, rreth 3 500 nuk kanë kartelë pagesore. Për ta, po përgatisim një zgjidhje të veçanë për pagesë përmes sportelit. Qëllimi është që të ju mundësojmë qasje më të lehtë deri te mjetet e tyre, ndërsa opinioni do të jetë i informuar menjëherë sa të vërtetohen të gjitha detajet”.
Të dielën Banka Popullore solli vendim që Alta Bankën ta marrë nën administrim në kohëzgjatje prej 3 muajsh. Gjatë periudhës së administrimit janë vendosur kufizime të tërheqjes së parave. Për personat fizik është caktuar limit javor prej 10.000 denarësh për tërheqje të parave të gatshme dhe pagesa te tregtarët me kartelat e lëshuara nga banka. Për personat juridikë janë mundësuar pagesat e brendshme pa kufizime drejt llogarive të tjera në bankë, por janë ndërprerë plotësisht transferet e mjeteve jashtë bankës përmes sistemeve kombëtare të pagesave, si dhe tërheqja e parave të gatshme nga bankomatët ose sportelet.
Vendimi vjen pasi Alta Bankë Serbi u mbyll, ndërsa pronari I saj u arrestua nga policia.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

