Kancelari gjerman i bën thirrje Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë

Kancelari gjerman i bën thirrje Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi të martën se ka ardhur koha t’i jepet fund luftës Rusi-Ukrainë, duke propozuar që një armëpushim rajonal në qytetin jugor Oleshky të shërbejë si model për armëpushime më të gjera, që do të përfshinin infrastrukturën energjetike dhe Detin e Zi, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

“Prandaj, mesazhi ynë për Rusinë është: ka ardhur koha t’i jepet fund kësaj lufte,” tha Merz në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Berlin. “Armëpushimi rajonal në Oleshky mund të shërbejë si model për një armëpushim që lidhet me energjinë dhe situatën në Detin e Zi”, deklaroi Merz.

Ai theksoi se, deri më tani, Rusia ka refuzuar me kokëfortësi hapa të tillë, duke shtuar se sulmet e saj në Detin e Zi rrezikojnë një përshkallëzim të mëtejshëm dhe mund të shkaktojnë një krizë globale ushqimore, e cila do të godiste më së rëndi vendet më të varfra.

Një raund i ri bisedimesh paqeje është hapi i duhur, shtoi ai, duke nënvizuar se Evropa duhet dhe dëshiron të luajë një rol në këtë proces. “Elementet thelbësore të një zgjidhjeje paqësore – qoftë për sanksionet apo për arkitekturën e sigurisë – mund të zgjidhen vetëm me ne evropianët. Dhe të gjitha palët e përfshira e dinë shumë mirë këtë” tha Merz.

“Tani i takon Rusisë të tregojë se është e gatshme për negociata serioze,” vazhdoi kancelari gjerman. Deri atëherë, shtoi ai, Gjermania dhe partnerët e saj do të rrisin presionin ndaj Moskës dhe do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me të gjitha forcat.

Sa i përket ndihmës ushtarake, Merz bëri të ditur se aleatët e NATO-s janë dakorduar për një mbështetje prej 70 miliardë eurosh (78,3 miliardë dollarë) për Ukrainën për vitin 2026, dhe se të gjithë partnerët duhet ta përmbushin këtë zotim. Ai theksoi se mbështetja për Ukrainën është në interes si të Gjermanisë, ashtu edhe të Evropës, dhe se përgjegjësia u takon të gjithë evropianëve, jo vetëm Gjermanisë.

Merz njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të diskutojë për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën me homologët e tij nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa një javë më pas, Gjermania do të presë në Berlin një samit të “Koalicionit të Vullnetmirëve”.

Takimi, sipas tij, do të përqendrohet në tri qëllime: koordinimin e ndihmës shtesë; rikonfirmimin e gatishmërisë për të ofruar garanci sigurie pas një armëpushimi (gjë që do të mbështetet edhe nga një stërvitje ushtarake që fillon në ditët në vijim); si dhe harmonizimin e përpjekjeve diplomatike që janë aktualisht në zhvillim.

MARKETING