(VIDEO) Përparim Bajrami del nga burgu me garanci prej 1.14 milionë eurosh
Pas Artan Grubit, edhe Përparim Bajrami është liruar nga paraburgimi. Gjykata Themelore Penale ka njoftuar se ka pranuar garanacionin në patundshmëri në vlerë prej 1.140.781 eurosh dhe sapo hipoteka të regjistrohet në Kadastër, Bajrami do të lirohet nga burgu. Vendimi është bërë i plotfuqishëm sot, pasi prokurori publik kompetent në rastin e “Lotarisë Shtetërore” dhe palët e tjera në procedurë kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës. Gjykata atij i ka caktuar masë kujdesi, për dorëzim të pasaportës dhe paraqite të rregullt në gjykatë.
Gjykata Themelore Penale
“Këshilli e ka pranuar garancionin e ofruar, me qëllim sigurimin e pranisë së të akzuarit në procedurat gjyqësore, ndërsa njëkohësisht i ka caktuar masa kujdesi shtesë edhe atë marrje të dokumenteve të udhëtimit dhe ndalesë për lëshim të dokumentit të ri për kalimin e kufirit si dhe detyrim të paraqitjes së rregullt në gjykatë”.
Muajin e kaluar në liri u la edhe ish-zëvendës kryeministri Artan Grubi, pasi skadoi afati maksimal ligjor për masën e paraburgimit.
I akuzuari i pare në rastin “Lotaria Shtetërore”, Përparim Bajrami, pasi fillimisht u arratis nga vendi, më 9 shtator, ai u dorëzua vetë në pikën kufitare Bllacë. Të njejtën gjë më herët bëri edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, filimisht u arratis, pastaj u dorëzua në Bllacë. Të akuzuar tjerë në këtë rast janë edhe Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadani, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu. Ata akuzohen se kanë tejkaluar autorizimet zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm “Lotarisë Shtetërore” në vlerë prej 9.7 milionë eurosh.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

