(VIDEO) Transportuesit e Ballkanit bllokojnë kufijtë e BE-së më 14 shtator

(VIDEO) Transportuesit e Ballkanit bllokojnë kufijtë e BE-së më 14 shtator

Transportuesit e kamionëve nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë paralajmëruar se nga 14 shtatori, do të ndërprejnë transportin rrugor të mallrave dhe do të bllokojnë pikat kufitare drejt Bashkimit Evropian, për shkak të problemit të pazgjidhur lidhur me kufizimin e qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen.

Transportuesit thonë se deri tani nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për rregullin e rreptë, ndaj paralajmërojnë se nga 14 shtatori do të ndalojnë qarkullimin e transportit të mallrave drejt BE-së.

Në Serbi tashmë është konfirmuar bllokimi i pikave kufitare, ndërsa aksionit pritet t’i bashkohen edhe transportues nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi. Organizatat rajonale të transportit kanë paralajmëruar se një situatë e tillë mund të shkaktojë probleme serioze në zinxhirët e furnizimit dhe në transportin ndërkufitar. Problemi kryesor është rregulli i njohur i Shengenit, „90 ditë brenda 180 ditëve“.

Transportuesit thonë se zbatimi i këtij rregulli krijon një problem serioz, pasi qëndrimi i tyre në BE nuk është për qëllime turistike, por lidhet me kryerjen e detyrave të punës dhe transportin e mallrave. Për këtë arsye, ata kërkojnë një zgjidhje të veçantë për shoferët profesionistë.

Kryetari i Shoqatës për Transport Ndërkombëtar të Serbisë, Nedo Mandiq, deklaroi të mërkurën se bllokada nuk është diçka që transportuesit e dëshirojnë, por sipas tij, situata është bërë aq serioze sa kompanitë tashmë po përballen me mungesë të shoferëve që mund të hyjnë dhe të punojnë në zonën Shengen.

Zebushe Ramadani /SHENJA/

MARKETING