(VIDEO) Sulejmani: 25 vjet më parë ndryshoi arkitektura politike e shtetit
“Historia na mëson se marrëveshjet sado të drejta të jenë në letër, mund të devijohen në praktikë”, kështu deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani me rastin e 25 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Sulejmani theksoi se kjo marrëveshje 25 vjet më parë e ndryshoi arkitekturën politike dhe juridike të shtetit. Ai tha se pikërisht këtu qëndron sprova më e madhe që ka kaluar Marrëveshja e Ohrit, jo tek nënshkrimet që qëndrojnë poshtë saj, por tek mënyra se si ajo u përvetësua padrejtësisht nga një parti e vetme dhe u shndërrua në kapital politik. Ai tha se në emër të kësaj marrëveshje dhe ndaj sakrificës që qëndron pas saj lindën njerëz të mpirë pas pushtetit.
Driton Sulejmani, zëdhënës i VLEN-it
“Në emër të kësaj marrëveshje dhe ndaj sakrificës që qëndron pas saj lindën kolltukofat, njerëz të mpirë pas pushtetit. Marrëveshja e Ohrit nuk është tapi e BDI-së, nuk është pronë e Ali Ahmetit dhe as trashigimi familjare e klikës së tij, ajo është arritje historike e shqipëtarëve të Maqedonisë së Veriut. BDI-ja për më shumë se dy dekada kishte pushtet deri në fyt. Kishte ministra, zëvendësministra, deputetë, drejtorë dhe funksionarë në çdo cep të shtetit. Po të donin, sot përfaqësimi i drejtë dhe adekuat do të ishte i garantuar me ligj. Decentralizimi do të ishte çështje e kryer. Por nuk e bënë as njërën, as tjetrën”.
Tutje ai tha se VLEN nuk e kujton Marrëveshjen e Ohrit vetëm kur vjen përvjetori, pasi për ta, ajo është obligim për punë konkrete, ku thekson se po e bëjnë si asnjëherë më parë me mbi 1200 projekte.
Driton Sulejmani, zëdhënës i VLEN-it
“Të drejtat e shqiptarëve nuk shkojnë në opozitë bashkë me BDI-në. As Marrëveshjen e Ohrit nuk mund ta marrë Ali Ahmeti me vete në opozitë. VLEN-i nuk e kujton Marrëveshjen e Ohrit vetëm kur vjen përvjetori. Kjo do të thotë që përfaqësimi i drejtë dhe adekuat të mbrohet me ligj. Miratimi i këtij ligji nuk është vetëm zbatim, por edhe avancim i Marrëveshjes së Ohrit. Do të thotë decentralizim i mirëfilltë, me më shumë kompetenca dhe mjete financiare për komunat, gjë që po e bëjmë si asnjëherë më parë, me mbi 1.200 projekte”.
Ai tha se tashmë, njëzet e pesë vjet më vonë, është koha t’ia rikthejnë dinjitetin Marrëveshjes së Ohrit. Jo vetëm si dokument juridik dhe marrëveshje që i dha fund konfliktit, por si arritje historike e shqiptarëve, e mishëruar në rendin kushtetues dhe si zotim i përhershëm për barazi.
Anida Murati /SHENJA/

