(VIDEO) Strasburgu e hodhi poshtë abolimin e Ivanovit, gjykimi vazhdon

(VIDEO) Strasburgu e hodhi poshtë abolimin e Ivanovit, gjykimi vazhdon

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg njoftoi se kërkesat e të dënuarve dhe të akuzuarve nga rastet e hapura të ish Prokurorisë Speciale Publike , të cilat ish-presidenti Gjorge Ivanov në prill të vitit 2016-të i fali, janë të papranueshme. Gjykata vlerëson se të akuzuarit dhe të dënuarit nuk I kanë shterur të gjitha mjetet juridike vendore. Vendimi është përfundimtar, thonë nga Gjykata.Kjo do të thotë që rastet e ish-PSP-së të mos pezullohen dhe procedurat për to të vazhdojnë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski  e ka quajtur vendimin e Gjykatës së Strazburgut një fitore të madhe dhe një sukses të madh për vendin tonë. Ekipi i Maqedonisë së Veriut me të vërtetë bëri maksimumin dhe fitoi në një rast jashtëzakonisht kompleks.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për punën e tyre të përkushtuar gjatë periudhës së kaluar. Me vendimin e gjykatës së Strasburgut, i cili në këtë rast është në favor të shtetit, ankesat e kërkuesve shpallen të papranueshme në tërësi, përfshirë edhe pjesën për faljet e pretenduara. Argumentet e Qeverisë për papranueshmërinë e kërkesave janë respektuar plotësisht nga Gjykata në Strasburg”.

Pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg kanë reaguar nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski. Ai e ka përshëndetur këtë vendim, duke shtuar se tani lëndët duhet të kenë epilogun e tyre.

KABINETI I STEVO PENDAROVSKIT
“Pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, presidenti e shqyrtoi atë me ekipin këshillues dhe beson se të gjithë ata që janë prekur nga procedimet e nisura nga prokuroria dhe gjykatat në vend duhet të ushtrojnë të drejtat e tyre para institucioneve vendase, siç thuhet edhe në vendimin e Gjykatës së Strasburgut”.

Edhe nga VMRO-DPMNE kanë reagur në lidhje me këtë vendim . Ata sqarojnë se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë një vendim në të cilin thuhet se kërkesat e paraqitura nga aplikantët janë të parakohshme dhe nuk hyn në thelbin e kërkesave. Në vendim thuhet se nuk janë shterrur të gjithë mekanizmat juridikë në Maqedoninë e  Veriut.

VMRO-DPMNE

“Qeveria në vend që të festojë defokusin duhet të shqetësohet për këtë vendim, sepse thelbi dhe drejtësia një ditë do të dalin në shesh. Ashtu si inflacioni i lartë, tenderët kriminalë, korrupsioni, tradhtitë, paaftësia, si në rastin e fundit me tërheqjen e eurobondit, me të cilin LSDM dhe BDI kanë turpëruar shtetin dhe dëmtuar reputacionin e tij, po dalin në dritë në publik”.

Sot në mëngjes, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e hodhi poshtë si të papranueshme ankesën për anulimin e abolimit të ish-presidentit Gjorge Ivanov nga viti 2016, me të cilin u falen 56 persona të dyshuar dhe të dënuar në disa raste të udhëhequra nga Prokuroria Speciale Publike, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministri i Transportit dhe Lidhjeve në qeverinë e tij Mile Janakieski, Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë të asaj kohe.

Bëhet fjalë për abolimin e ish-presidentit Gjorge Ivanov nga prilli i vitit 2016. Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ndryshimet ligjore të vitit 2009 me të cilat u fshi neni 11, i cili i dha mundësinë presidentit të jepte abolimin edhe pa kryer procedurën e faljes. Menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ivanov vendosi t’i falë zyrtarët e atëhershëm të VMRO-DPMNE-së, gjë që çoi në protesta masive. Pas reagimeve në opinion, janë bërë ndryshime në Ligjin për falje, të cilat krijuan hapësirë ​​për tërheqjen e abolimeve.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING