(VIDEO) Sindikata kërkon ndryshime në Ligjin për mobingun
Ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen nga ngacmimi në vendin e punës ose miratimin e një ligji të ri, ka mbet një çështje e hapur edhe pse iniciativa për ndryshimet ka filluar tre vjet më parë.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut thonë se procedura për analizimin e nevojës për hartimin e një ligji të ri ka nisur dhe është formuar një grup pune, por deri tani askush nuk i ka thirrur.
LIDHJA E SINDIKATAVE
“Praktika ka treguar se zgjidhjet ligjore nuk kanë siguruar një kornizë të kënaqshme ligjore për mbrojtje efektive nga ngacmimi në vendin e punës. Për këto arsye, tre vjet më parë filloi një procedurë për analizimin e nevojës për një ligj të ri, lidhja e sindikatave ka përfaqësuesin e vet në grupin e punës, por për arsye të panjohura, që një vit grupi i punës nuk është thirrur për të dhënë mendimin e tij dhe për të vazhduar punën“.
Lidhja e sindikatave thekson se implementimi i Ligjit të miratuar në vitin 2013 ka treguar se ka nevojë për përmirësimin e disa nenëve dhe përshtatjen e tij me standardet ndërkombëtare të punës.
Lidhja e Sindikatave, e cila ofron mbrojtje ligjore falas për të drejtat e punonjësve, ka marrë 25 kërkesa për mbrojtje nga ngacmimi në vendin e punës, që nga miratimi i ligjit në vitin 2013.
Shumica e kërkesave kanë qenë në vitin 2013, tetë, dhe vitin pasues, 2014, shtatë kërkesa, ndërsa në vitin 2017 dhe 2018 nuk ka pasur asnjë kërkesë.
Nga Lidhja e sindikatave sqarojnë se shumica e kërkesave për ngacmim në vendin e punës, janë nga individë që nuk janë anëtarë të sindikatës.
Ngacmimi psikik është një fenomen negativ në vendin e punës që ka pasoja për shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve, ndikon në produktivitetin dhe cilësinë e punës, dhe gjithashtu ka pasoja të rënda negative në familje dhe shoqëri.
/SHENJA/