(VIDEO) Sindikalistët: Dy paga minimale nuk mjaftojn për t’i përmbushur nevojat e familjeve

Lidhja e Sindikatave ka shprehur pakënaqësi lidhur me shportën minimale sindikale të publikuar ditën e djeshme. Kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafilov duke iu referuar shportës minimale e cila po përgatitet, tha se Qeveria ka kufizuar shportën vetëm me ushqime dhe pije dhe ka zvogëluar numrin e anëtarëve të familjeve nga 4 në 3. Ai thotë se duke u bazuar në këtë zvogëlim ata nuk i kanë parë të dhënat e publikuara të vitit 2021 nga regjistrimi ku numri më i madh i familjeve janë familje 4-anëtarëshe, ndërsa familje 3-anëtarëshe janë shumë më pak. Ai ka theksuar se në vendin tonë me paga të tilla dy anëtarë të familjes hajnë ndërsa dy të tjerët vetëm shikojnë.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Fatkeqësisht dikush këtë operacion statistikor ka dashur ta shndërrojë në operacion të ushqyerjes së familjeve, prandaj edhe e quajnë shporta mesatare sindikale por megjithatë sindikatat, kryesisht lidhja e sindikatave nuk është e përfshirë në përgaditjen e saj,shportë e cila do të na tregojë neve familjeve në Maqedoni se çka të hamë në sezonë, e çka jashtë sezonës, çka do të jetë më e lirë e çka më e shtrejtë”.
Trendafilov edhe një here bëri thirrje edhe një herë për protestë masive të punëtorëve më 1 maj. Sipas tij, pagat në vend janë të mjerueshme dhe nuk po rriten në përputhje me marrëveshjet kolektive. Ai thotë se Qeveria dhe punëdhënësit po refuzojnë t’i rrisin të gjitha pagat dhe tha se këto janë arsye të mjaftueshme për një protestë në ditën e parë të majit.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LSM-SË
“Sot nuk është koha për të festuar. Duhet të ndryshojmë traditën dhe si të gjitha vendet e BE-së, të dalim të protestojmë dhe në këtë mënyrë të shprehim pakënaqësinë e punëtorëve. Fatkeqësisht, sot një numër i madh i punëtorëve në sektorin privat nuk i kanë marrë pagat për muajin mars. Sa më shumë të vini dhe sa më shumë të vijmë ne, aq më shumë do të merrni dhe aq më shumë do të marrim. Qeveria dhe punëdhënësit na numërojnë”.
Ditën e djeshme është publikuar shporta minimale sindikale për muajin prill të këtij viti dhe vlera e saj është rritur për 836 denarë dhe arrin në 62.691 denarë, krahasuar me vlerën e Shportës minimale sindikale për muajin mars, e cila ishte 61.855 denarë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/