(VIDEO) Shtatë vjet nga përgjakja e Kuvendit, pandëshkueshmëria vazhdon

(VIDEO) Shtatë vjet nga përgjakja e Kuvendit, pandëshkueshmëria vazhdon

Persona të dhunshëm e të maskuar, dyer që u hapën dhe ju lejua atyre të hyninn në institucionin më të lartë ligjvënës, karrike që fluturonin, deputetë e gazetarë që dhunoheshin, tërhiqeshin zvarrë korridoreve e shkallëve, fytyra të gjakosura, turmë e hutuar që vetëm kërkonin gjahun e radhës, situatë totalisht e dalë jashtë kontrollit dhe e pa parë ndonjëherë në një institucion. Këto ishin vetëm disa copëza që përshkruajnë fotografinë e shëmtuar dhe të frikshme, të 27 prillit, të vitit 2017, në Kuvendin e Maqedonisë.

Gjithçka nisi nga protestat që i organizonte VMRO përshkak se pasi VMRO dhe BDI nuk arritën marrëveshje për formim të Qeverisë, sipas Kushtetutës, duhej t’i jepej mundësi LSDM-së, që ajo ta marrë mandatin dhe t’i fillojë bisedimet. Kështu më 4 mars të vitit 2017, BDI e pranoi ofertën e LSDM-së për koalicion qeveritar. Më pas më 27 prill, duhej të zgjidhej kryetari i Kuvendit.

Në një atmosferë të tensionuar brenda dhe jashtë objektit ligjvënës, derisa kryetari i sapozgjedhur i  Kuvendit Talat Xhaferi, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë dhe të disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit. Me turmën kanë udhëhequr persona me maska, por edhe të armatosur. Me këtë rast, policia e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja, nuk reagoi fare, duke lejuar që dhunuesit lirshëm të futen në Kuvend dhe të demolojnë gjithçka që shohin përpara. Me lëndime më serioze nga ky sulm doli deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili u rrah brutalisht nga dhunuesit. Pos tij, të sulmuar kanë qenë edhe ish lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, por edhe deputetë tjerë.

Fillimisht u akzuan 30 persona. Derisa gjykimi vazhdonte më 18 dhjetor 2018-të në Kuvend u votua Ligji i Amnistisë, sipas të cilit disa prej të akuzuarve, në mesin e të cilëve dhe deputetë nga opozitarja VMRO-DPMNE u amnistuan nga akuza. Disa nga deputetët e amnistuar më 19 tetor 2018, i votuan ndryshimet kushtetuese për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedonia në Maqedoninë e Veriut.

Më 15 mars të vitit 2019-të, Gjykata i dënoi disa prej të akuzuarve me gjithsej 211 vjet burg. Për Gruevskin dhe Boshkovskin u ndalua procedura pasi që ata janë në arrati, gjegjësisht njëri në Hungari e tjetri në Greqi.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING