(VIDEO) Shkup, liderët rajonalë diskutuan për të ardhmen e ballkanit

(VIDEO) Shkup, liderët rajonalë diskutuan për të ardhmen e ballkanit

Në Shkup është mbajtur sot Forumi i dytë Ekonomik, ku morën pjesë personalitete me ndikim nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të jetës politike dhe ekonomike. Gjatë fjalimit në këtë forum, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se e ka thënë deri tani e do ta ritheksojë  se nuk është më çështja nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet.

DIMITAR KOVAÇEVSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

 “Maqedonia e Veriut është një vend anëtar i NATO-s, një vend që filloi bisedimet me BE-në, një vend pjesëmarrës në Procesin e Berlinit dhe një vend që, duke filluar nga ky vit, mori kryesimin e OSBE-së. Prandaj, për ne, agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm”

Kovaçevski ka deklaruar se Maqedonia e Veriut, së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë tashmë funksionon si Bashkimi Evropian i vogël. Kovaçevski pati edhe një takim kokë më kokë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte pjesëmarrës në forum. Kreu i Qeverisë në Shkup përshëndeti marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërkohë, kryeministri Kurti  tha se Shkupi është qyteti i madh më i afërt me Prishtinën dhe ka impakt të madh në rajon.

ALBIN KURTI-KRYEMINISTËR I KOSOVËS

“Për të fuqizuar edhe më shumë bashkëpunimin tonë, po ashtu besoj se duhet të kemi infrastrukturën që lidhë Prizrenin dhe Tetovën, që janë dy qytetet me dy anë të ndryshme me bjeshkët e Sharrit, pra mendoj se edhe kjo do të përmirësojë në masë të madhe dhe t’ju ndihmojë qytetarëve dhe turizmit”

Kryeministri Kovaçevski sot u takua edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

DRITAN ABAZOVIQ, KRYEMINISTËR I MALIT TË ZI  

“Ajo çfarë mund të ndërrojmë është e ardhmja, pasi të kaluarën nuk mundemi të ndrrojmë. Nëse e hedhim fokusin në bisedat për të kaluarën  dhe nuk do të flasim për të ardhmen, rajoni nuk do të mund të jetë i sukseshëm dhe të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perendimor, do të kenë mundësi të jenë më efektive në proceset për Bashkimin Evropian”.

Dy kryeministrat biseduan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, për të cilat bashkërisht u konstatua se janë në  vazhdimësi miqësore dhe pa çështje të hapura.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING