Kryeministri polak refuzon bisedimet e thirrura nga presidenti për krizën në Gjykatën Kushtetuese
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në bisedimet e thirrura nga presidenti Karol Nawrocki për zgjidhjen e krizës në rritje lidhur me Gjykatën Kushtetuese të vendit, duke këmbëngulur se mosmarrëveshja për kontrollin e këtij institucioni tashmë është zgjidhur, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët në Dublin, pas një samiti evropian, Tusk hodhi poshtë nevojën për negociata të mëtejshme lidhur me Gjykatën Kushtetuese, drejtimi i së cilës është vënë në pikëpyetje që nga ndërhyrja në selinë e saj në Varshavë, dy javë më parë.
“Çështja e Gjykatës Kushtetuese është zgjidhur”, tha Tusk, duke shtuar se presidenti Nawrocki dhe partitë opozitare nuk i kanë pranuar rregullimet e reja.
“Unë nuk pres miratimin e atyre që për vite me radhë shkatërruan sistemin e drejtësisë në Poloni”, shtoi ai.
Tusk tha se gjykata ka rifilluar punën dhe është në rrugën drejt rikthimit të funksionimit të saj të rregullt.
Refuzimi i tij nxjerr në pah përplasjen gjithnjë e më të thellë mes koalicionit qeverisës pro-evropian të kryeministrit Tusk dhe presidentit Nawrocki, aleat i partisë opozitare Ligj dhe Drejtësi (PiS), lidhur me legjitimitetin e gjykatës më të lartë kushtetuese të Polonisë.
Të enjten, Zyra e Nawrockit njoftoi se përfaqësuesit e të gjitha grupeve politike parlamentare ishin ftuar në konsultime të hënën në Pallatin Belweder në Varshavë.
E Majta, një partner më i vogël në koalicionin qeverisës, njoftoi se nuk do të marrë pjesë, ndërsa të njëjtin qëndrim e bëri të ditur edhe Koalicioni Qytetar (KO), partia kryesore e qeverisë së kryeministrit Tusk.
Përfaqësuesit e Partisë Popullore (PSL), Polonia 2050, PiS dhe Konfederatës së krahut të djathtë kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë.
Përplasja u përshkallëzua më 30 tetor, kur policia u vendos në Gjykatën Kushtetuese pas raportimit të një gjyqtari për kërcënime dhe shfaqjes së vendimeve të kontestuara për pezullimin e kryetarit të gjykatës, Bogdan Swieczkowski dhe nënkryetarit Bartlomiej Sochanski.
Anna Korwin-Piotrowska, një gjyqtare e lidhur me shumicën e re në gjykatë, më pas mori drejtimin e institucionit.
Swieczkowski dhe Sochanski e kundërshtuan pezullimin e tyre dhe këmbëngulin se vazhdojnë të jenë drejtuesit legjitimë të gjykatës.
Të enjten, Swieczkowski tentoi të kthehej në selinë e Gjykatës Kushtetuese, por nuk iu lejua hyrja. Sipas raportimeve, ai gjithashtu ka kërkuar kufizimin e qasjes në llogaritë bankare të gjykatës për personat që ai i konsideron të paautorizuar.
Mosmarrëveshja për drejtimin e gjykatës është pjesë e një përplasjeje më të gjerë mes qeverisë dhe presidentit lidhur me emërimet në sistemin gjyqësor, kompetencat ekzekutive dhe përpjekjet për reformimin e institucioneve të formësuara gjatë tetë viteve të qeverisjes së PiS-së.

