Iseni: Davor Macura i blen aksionet për hyrjen e “Alta Bankës” drejtpërdrejt nga krushku i Ali Ahmetit

Iseni: Davor Macura i blen aksionet për hyrjen e “Alta Bankës” drejtpërdrejt nga krushku i Ali Ahmetit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare për transaksionet financiare që lidhen me hyrjen e “Alta Bankës” në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut.

MARKETING

Shik.mk

Në një konferencë për media, Iseni ka ngritur dyshime për një lidhje të mundshme mes një kredie prej pesë milionë eurosh, të dhënë në qershor të vitit 2025 nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd, dhe shitjes së aksioneve të “Stopanska Bankës” së Manastirit, e cila më pas u riemërua në “Alta Banka Maqedoni”.

Sipas kronologjisë së paraqitur nga Iseni, në tetor të vitit 2024, kompania “AS Senjak” nga Kërçova, në pronësi të Selahudin Arifit, të cilin zëvendësministri e cilësoi si krushk të Ali Ahmetit, kishte blerë një pako të konsiderueshme aksionesh në “Stopanska Bankën” e Manastirit.

Më 9 qershor 2025, sipas pretendimeve të tij, një kompani e lidhur me këtë rrjet biznesi kishte përfituar një kredi prej pesë milionë eurosh drejtpërdrejt nga selia qendrore e “Alta Bankës” në Beograd.

Ndërkaq, më 17 shtator 2025, kompania “AS Senjak” ia kishte shitur aksionet e saj në bankën e Manastirit Davor Macurës dhe “Alta Bankës”.

Duke iu referuar këtyre zhvillimeve, Iseni ka ngritur dyshime për një marrëdhënie të mundshme mes financimit prej pesë milionë eurosh dhe blerjes së aksioneve.

“Skema në relacionin Zajaz – Kërçovë – Beograd është e qartë si kristali”, deklaroi Iseni, duke kërkuar që institucionet kompetente të verifikojnë nëse dy transaksionet kanë qenë pjesë e një marrëveshjeje të ndërlidhur.

Zëvendësministri shtroi disa pyetje publike, përmes të cilave kërkoi të sqarohet nëse kredia prej pesë milionë eurosh mund të ketë shërbyer për financimin e hyrjes së Davor Macurës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut, si dhe nëse shitja e aksioneve në shtator ka qenë pjesë e një marrëveshjeje të paracaktuar për kompensimin e kredisë së dhënë tre muaj më parë.

Ai kërkoi gjithashtu transparencë lidhur me vlerën e përfitimit nga shitja e aksioneve dhe nëse persona të afërt me rrethin familjar të Ali Ahmetit kanë përfituar financiarisht nga ky transaksion.

Në deklaratën e tij, Iseni ngriti pikëpyetje edhe për rolin e ish-funksionarëve të BDI-së, Fatmir Besimi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi, të cilët, sipas tij, kishin mbështetur hyrjen e “Alta Bankës” në sektorin financiar të vendit.

Në përfundim, zëvendësministri kërkoi që Prokuroria Publike dhe Drejtoria e Inteligjencës Financiare të zhvillojnë një hetim të koordinuar për kredinë e 9 qershorit 2025 dhe shitjen e aksioneve të 17 shtatorit 2025.

Sipas tij, vetëm përmes një hetimi të plotë financiar mund të sqarohet nëse këto transaksione kanë qenë të ndërlidhura, nëse janë respektuar procedurat dhe legjislacioni në fuqi, si dhe nëse ekziston përgjegjësi eventuale ligjore apo penale.

MARKETING