(VIDEO) Shkollat gati për t’i pritur nxënësit, pjesa më e madhe e librave ka arritur

(VIDEO) Shkollat gati për t’i pritur nxënësit, pjesa më e madhe e librave ka arritur

Vetëm edhe disa ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor ndërsa tekstet shkollore të gjuhëve të huaja akoma nuk u janë dorëzuar shkollave. Drejtorët e shkollave fillore për TV SHENJA deklaruan se janë në proces përfundimtar përgatitjet për këtë fillim-vit por ata thonë se u mungojnë librat e gjuhëve të huaja dhe të njëjtat shpresojnë tu arrijnë në afat më të shkurtër kohor. Drejtoresha e shkollës fillore “Hasan Prishtina” Esma Fazlija tha se momentalisht nuk kanë libra të gjuhës angleze, gjermane dhe frenge. Ajo duke iu referuar sfidave nga viti i kaluar potencoi se koncepti i ri arsimor i cili ishte në proces dhe pastaj u tërhoq ka qenë një sfidë e madhe por shpresoi që ky vit të jetë më i mbarë.

 ESMA FAZLIJA, DREJTORESHË E SHKOLLËS FILLORE HASAN PRISHTINA “Sa i përket furnizimit, ne kemi filluar prej qershorit të furnizohemi me libra dhe jemi më në process të fundit, në faze të fundit të furnizimit, cikli I ulët janë furnizuar të gjithë komplet, na mungojnë siç e dini librat e gjuhëve të huaja. Shpresojmë derisa të fillojmë të ketë libra të gjuhës angleze, gjuhës gjermane dhe gjuhës frenge. Në fillim siç e dini ishte në proces koncepti i ri pastaj u tërhoq ajo u kthye koncepti i vjetër, sa u bëmë gati u ndryshua, ishte një sfidë sinqerisht, tjetër sfidë jo. Pres shumë sukses, të kemi nxënës të suksesshëm dhe gjithë të mirat”.

Drejtoresha e shkollës fillore “Adem Jashari” Fitore Qirezi tha se vitin e kaluar kanë pasur mungesë të teksteve shkollore dhe probleme që kanë qenë pjesë e përditshmërisë. Ajo shtoi se shpreson se me fillimin e vitit shkollor edhe ato do të evitohen, të ketë kushte më të mira për nxënësit po edhe për mësimdhënësit.

FITORE QIREZI, DREJTORESHË E SHKOLLËS FILLORE ADEM JASHARI

 “Sa i përket librave, pjesa dërmuese e librave kanë mbërri në shkollë, librat e gjuhëve kryesisht janë, kanë mbërri, presim, ka kohë këto dy ditë apo pas datës 1, nuk e di kur vijnë, mirëpo edhe një pjesë e librave ato që mungojnë presim të vijnë këto ditë. Besoj që këtë vit më me kohë kanë mbërritur librat, pjesa dërmuese. Besojmë dhe sipas premtimeve besojmë se do të jemi, së paku me librat që janë bazë, të fillojë 1 shtatori. Në klasën e parë kemi 4 paralale të nxënësve. Deri tash 97 nxënës i kemi të regjistruar në klasë të parë, dmth 4 paralele të nxënësve do të fillojnë më 1 shtator”.

Sa i përket çështjes së zvogëlimit të numrit të nxënësve si pasojë e migrimit drejtorët thonë se në qytetin e Shkupit apo në shkollat e komunës së Çairit kjo akoma nuk është e dukshme sepse kanë numër të mjaftueshëm të nxënësve, por fshatrat dhe qytetet tjera ballafaqohen me këtë dukuri, potencuan ata.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

 

MARKETING