(VIDEO) Shasivari i përgjigjet Ahmetit: Të drejtat gjuhësore mbrohen me zgjidhje juridike

(VIDEO) Shasivari i përgjigjet Ahmetit: Të drejtat gjuhësore mbrohen me zgjidhje juridike

Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari ka reaguar ndaj letrës së Ahmetit, duke theksuar se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është tepër e rëndësishme për t’u reduktuar në përplasje të politikës ditore, merita partiake dhe akuza të ndërsjella. Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një çështje që meriton qasje serioze juridike, përgjegjësi institucionale dhe një zgjidhje që do të sigurojë mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët.

JETON SHASIVARI, MINISTËR I DREJTËSISË

“Fillimisht, dëshiroj të rikujtoj se kjo çështje nuk lindi me ardhjen time në funksionin e ministrit të Drejtësisë. Ajo prej vitesh ka mbetur një çështje e pazgjidhur në Ministrinë e Drejtësisë. Që nga viti 2001, tetë ish-ministra shqiptarë të Drejtësisë, nga radhët e BDI-së, kanë pasur mundësinë dhe përgjegjësinë institucionale për të zgjidhur çështjen e mënyrës së dhënies së provimit të jurisprudencës. Por, kjo nuk ndodhi”

Shasivari thekson se më 27 nëntor, Ali Ahmeti do të ketë mundësinë që në Kuvend t’ua përcjellë vërejtjet e tij raportuesve të Komisionit të Venedikut, ndërsa ai vet si ministër i Drejtësisë, nuk do të hyj në garë se kush ka bërë më shumë deklarata për të drejtat gjuhësore.

JETON SHASIVARI, MINISTËR I DREJTËSISË

“Komisioni i Venedikut nuk është mbulesë për institucionet. Ai është një mundësi që zgjidhja juridike të shqyrtohet në mënyrë të pavarur, profesionale dhe në përputhje me standardet evropiane. Opinioni i tij do të ketë rëndësi për sigurinë juridike dhe për hapat e mëtejshëm”

Ministri Shasivari thekson në fund se të drejtat nuk mbrohen me deklarata të bujshme politike, por me institucione funksionale, zgjidhje të qëndrueshme juridike dhe zbatim konsekuent të ligjeve. /SHENJA/

 

MARKETING