(VIDEO) Shkolla “Kongresi i Manastirit” shënoi 20 vjetorin e themelimit

(VIDEO) Shkolla “Kongresi i Manastirit” shënoi 20 vjetorin e themelimit

 

Njëzet vite arsim, përkushtim dhe shumë gjenerata nxënësish! Shkolla Fillore “Kongresi i Manastirit” në Shkup shënoi përvjetorin e 20-të të themelimit, duke e ndërthurur këtë jubile me atmosferën festive të Festave të Nëntorit. Skena iu takoi nxënësve, të cilët përmes këngës, poezisë, vallëzimit dhe interpretimeve të ndryshme artistike sollën një program të pasur. Drejtoresha e shkollës, Fisnike Pustina, e ka lidhur historinë 20-vjeçare të shkollës me vlerat kombëtare që përfaqësojnë edhe Festat e Nëntorit.

Fisnike Pustina, Drejtoresha e SHFK ‘Kongresi i Manastirit’

“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar një përvjetor, jemi mbledhur për të kujtuar rrugëtimin tonë, për të nderuar sakrificën e atyre që kanë kontribuar në zhvillimin e shkollës dhe për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata që janë pjesë e historisë së saj. Festat e nëntorit na kujton gjuhën, historinë, identitetin, dhe vlerat që na bashkojnë ne si komb, emri që mban shkolla jonë ‘Kongresi i Manastirit’ përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Mbajtja e këtij emri është jo vetëm nder por edhe përgjegjësi për të edukuar brezat që e çmojnë gjuhën, historinë, kulturën e dijen. Historia e shkollës tonë është historia e përkushtimit, e durimit, dhe e tejkalimit të vështirësive”.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi rëndësinë historike të emrit që mban shkolla, duke vënë në pah rolin e mësimdhënësve, drejtuesve, prindërve dhe nxënësve në ndërtimin dhe zhvillimin e saj ndër vite.

Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit

“Emri ‘Kongresi i Manastirit’ për këtë shkollë nuk është i rastësishëm, ai përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, përfaqëson gjuhën shqipe, arsimin, dijen dhe përpjekjen e brezave që paraprijnë për të ruajtur identitetin tonë, por natyrisht, asnjë shkollë nuk e përbën vetëm ndërtesa dhe as emri që e mban, shkollën e bëjnë njerëzit, e bëjnë mësimdhënësit që çdo ditë përkushtohen në edukimin e brezave të rinj, drejtuesit që kujdesen për mbarëvajtjen e saj, prindërit dhe mbi të gjitha nxënësit që janë arsyeja pse egziston ç’do përpjekje e jona”.

 

Për nxënësit, kjo festë nuk ishte vetëm një moment për të shfaqur talentin e tyre, por edhe një mundësi për të shprehur emocionet dhe rëndësinë që kanë festat e Nëntorit për ta. Njëra prej nxënëseve, Doa Shabani, ndau me ne mesazhin e saj për këto festa.

Doa Shabani, Nxënëse

“Festat e nëntorit, janë ndër festat e mia të preferuara përshkak se janë një urë që lidh të kaluarën tonë me të ardhmen tonë, dhe janë patjetër ndër festat më domethënëse për mua. Emocionet që kisha gjatë pregaditjes së pikave ishin goxha të qeta por pak të turbulluara se si do të dal un tek publiku dhe sa konfidente do të jem un me veten. Gëzuar festën ç’do shqipëtari anembanë botës, dhe festofshim sa më shumë të tilla”.

Ndërsa për nxënësen Viola Bexheti, festat e Nëntorit mbartin kujtime, krenari dhe emocione të veçanta.

Viola Bexheti, Nxënëse

“Festat kanë një rëndësi të madhe për neve dhe kam qenë shumë e gëzuar, mezi e kam pritur ditën që të ndodhë kjo shfaqje. Isha e gëzuar, kisha pak frikë, por mirë ishte. Mos ta harojmë gjuhën, të vazhdojmë të bëjmë shfaqje dhe kështu”.

Skena u mbush me performanca mbresëlënëse, poezi, këngë dhe mesazhe domethënëse, që u përcollën me duartrokitje të shumta. Krahas trëndafilave për mësuesit, drejtoresha ndau edhe mirënjohje për kryetarin e komunës së Çairit dhe ish-drejtorin e shkollës për kontributin e tyre, ndërsa edhe vetë ajo u surprizua me një dhuratë nga veteranët e arsimit.

Anida Murati /SHENJA/

 

MARKETING