(VIDEO) Skandali me Alta Bankën, LSDM do të dorëzojë interpelancë për guvernatorin Sllaveski

(VIDEO) Skandali me Alta Bankën, LSDM do të dorëzojë interpelancë për guvernatorin Sllaveski

 

Pas paraqitjes së kallëzimeve penale, partia opozitare LSDM ka paralajmëruar edhe iniciativë për interpelancë ndaj guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, për skandalin me Alta Bankën, përkatësisht çështjeve të hapura lidhur me mënyrën se si kjo bankë hyri në tregun financiar të Maqedonisë. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, gjatë konferencës së sotme për media, tha se, duhet të ketë përgjegjësi penale dhe politike për skandalin me Alta Bankën, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë që t’i shqyrtojë seriozisht kallëzimet penale të paraqitura.

Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së

“Si e lejoi hyrjen e një banke për të cilën kemi paralajmëruar tash e një vit se është bankë kriminale, bankë në të cilën pastrohen para nga regjimi kriminal i Vuçiqit, i cili tashmë ka rënë, bankë për të cilën të gjitha mediat serbe kanë raportuar se është lavanderia ballkanike e parave? Në çfarë mënyre e verifikoi kredibilitetin e pronarit Davor Macura, i cili tani është i dyshuar për kriminalitet në Serbi? Në këtë skemë kriminale, përveç bankës serbe, dyshohet se janë përfshirë edhe zinxhiri i këmbimoreve që drejtohen nga Davor Macura. Kjo është banka e vetme që është krijuar dhe është konsoliduar nga këmbimoret”.

Filipçe ngriti gjithashtu edhe çështjen e rolit të kryeministrit Hristijan Mickoski në të gjithë rastin, pasi vetë guvernatori ka pranuar se është konsultuar me të para hyrjes së bankës në tregun maqedonas.

Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së

“Trajko Sllaveski do të duhet të përgjigjet edhe për atë se çfarë ka biseduar me kryeministrin Hristijan Mickoski. Si është e mundur që është konsultuar me të dhe cilat janë kompetencat zyrtare të Hristijan Mickoskit në lidhje me hyrjen e një banke në vendin tonë, veçanërisht të një banke të tillë kriminale? Çfarë i ka thënë gjatë bisedës telefonike? Vetë Trajko Sllaveski deklaroi se kishte biseduar dhe ishte konsultuar me kryeministrin kur Alta Banka duhej të hynte në tregun tonë financiar”.

Kryetari i LSDM-së paralajmëroi se me veprime të tilla rrezikohen paratë e qytetarëve, kompanive dhe institucioneve shtetërore, ndërsa cenohet rëndë edhe integriteti i Bankës Popullore si institucion i pavarur.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj, ndërkaq më 16 nëntor shpalli procedurën për shitjen e paketës dominuese të aksioneve të Alta Bankës SHA Manastir, me qëllim gjetjen e një pronari të ri dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e funksionimit të qëndrueshëm të bankës.

Teuta Buçi /SHENJA/

 

MARKETING