(VIDEO) Senati amerikan miratoi rezolutë për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në BE

(VIDEO) Senati amerikan miratoi rezolutë për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në BE

Në rezolutën më të re në Senat, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetën pranimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në rezolutën e sponsorizuar nga senatori demokrat i Vermontit Peter Welch, senatori demokrat i New Hampshire Jeanne Shaheen dhe senatorët republikanë të Nebraska dhe Karolina e Veriut Pete Ricketts dhe Tom Tillis, Senati i bëri thirrje Presidentit dhe Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, si dhe aleatëve evropianë, që të avokojnë për hapjen e klasterit të parë negociues të BE-së me Maqedoninë e Veriut, pa kushte shtesë dypalëshe.

REZOLUTA E SHBA-SË

“Presidenti dhe Sekretari i Shtetit duhet të vazhdojnë të punojnë ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, për të mbështetur zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Siç ka raportuar Zëri i Amerikës, Rezoluta thekson gjithashtu mbështetjen e Senatit për qeverinë së Maqedonisë për të ndërmarrë reformat e nevojshme për avancimin e anëtarësimit në BE.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe u bë kandidat zyrtar për BE në vitin 2005, si dhe vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që filloi një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara në qershor 2022, si pjesë e Deklaratës për partneritet dhe bashkëpunim strategjik që nga viti 2008.

REZOLUTA E SHBA-SË

“Maqedonia e Veriut mbetet një partner i rëndësishëm sigurie i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara dhe një aleat i NATO-s, duke i ofruar Ukrainës ndihma humanitare dhe pajisje të rëndësishme ushtarake, duke votuar në favor të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Asamblesë së Përgjithshme kundër agresionit rus, duke miratuar të gjitha sanksionet kundër Rusisë nga Bashkimi Evropian”.

Tetorin e kaluar, senatorët Welch dhe Shahin vizituan Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, duke theksuar mbështetjen e SHBA për integrimin evropian në Ballkanin Perëndimor dhe sigurinë në rajon, në mes të agresionit rus kundër Ukrainës.  Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING