(VIDEO) Sali: Jurisprudenca do jepet edhe në shqip, Ajdari: Jeni në anën e gabuar të historisë

(VIDEO) Sali: Jurisprudenca do jepet edhe në shqip, Ajdari: Jeni në anën e gabuar të historisë

Protesta e studentëve, ishte temë diskutimi edhe në Kuvend, në seancën për pyetje deputetësh. Zëvendëskryeministri Bekim Sali tha se studentët e revoltuar nuk protestojnë për VLEN-in, por protestojnë për BDI-në  e cila për 22 vite nuk ka arritur një harmonizim të ligjit të gjuhëve ta bëjnë me këto ligje në fjalë. Sali sërisht premtoi zgjidhje të problemit.

 Bekim Sali, zv/kryeministër  

“Për herë të parë ekzekutitivi qendror e ka dëgjuar zërin e studentëve dhe i ka përveshur krahët që ta zgjidh problemin e tyre përgjithmonë. E kam thënë këtu, do ta them prapë, derisa ju të bindeni se do të jetë kështu se provimi i jurisprudencës  dhe provimet tjera të cilat kanë  të bëjnë me natyrën e provimit të jurisprudencës në të ardhmen do të jepen në gjuhën shqipe dhe kjo është e vërtetuar dhe këtë do ta dëshmojmë para jush dhe opinionit”.

Ndërsa deputetja e BDI-së Rina Ajdari, e pyeti atë nëse do të dalë në protestë dhe këtë premtim të jua thotë studentëve në sy.

Rina Ajdari, deputete e BDI-së 

“A do dilni sot publikisht aty tua thoni këtë premtim studentëve dhe në sy apo ju duhet fillimisht leja e liderit tuaj, kryeministri të vendit. Këto situata nuk duan koment sepse duken, qytetarët I shohin dhe i lexojnë drejtë, ndërsa ju do të ngeleni gjithmonë në anën e gabuar të historisë. Sa e rëndë duhet të jetë e kolltukut sa të mos tju lërë të ecni disa hapa, për gjuhën shqipe”.

Ajdari e akuzon partinë shqiptare në pushtet se nuk e mbrojnë gjuhën shqipe në asnjë institucion në asnjë nivel dhe se janë formuar vetëm për të relativizuar politikat antishqiptare të Qeverisë së Mickoskit.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING