(VIDEO) Rroga minimale 450 euro, Qeveria ia le në dorë punëdhënësve
Qeveria nuk i dha dritë jeshile rritjes së pagës minimale. Kryeministri Hristijan Mickoski sot pas takimit me këshillin ekonomik social tha se qeveria nuk do të ndërhyjë në çështjen e pagës minimale por do tua lë në dorë punëdhënësve dhe përfaqësuesve të punëtorëve. “Çka do që të vendosin ata, qeveria do të pranojë”, tha Mickoski.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Seanca e Këshillit Ekonomik dhe Social është ende në vazhdim dhe aty janë dy partnerë, punëdhënësit dhe punëtorët. Ata duhet të bien dakord për parametrat, duke përfshirë pagën minimale. Qeveria është në një pozicion tjetër. Nga pikëpamja e buxhetit sa më e lartë të jetë paga minimale, aq më të larta do të jenë të ardhurat në buxhet, por ne nuk duam të ndërhyjmë. Do t’i lëmë të dyja palët të pajtohen, çfarë mund të pranojë njëra palë dhe çfarë tjetra”.
Ndërkaq kryetari i lidhjes së sindikatave të RMV-së Sllobodan Trendafilov para fillimit të takimit tha se mbeten në kërkesën për pagë minimale prej së paku 450 euro si dhe për rritje të pagave në sektorin publik.
SLLOBODAN TRENDAFILOV, KRYETAR I LIDHJES SË SINDIKATAVE TË RMV-SË
“Në buxhet ndoshta për herë të parë pas një kohe të gjatë parashikohen mjete për rritjen e pagave për më shumë se 10%. Sipas projeksioneve buxhetore që LSM ka mundur ti shohë, qeveria parasheh mjete në përputhje me marrëveshjet kolektive dhe ligjet për rritje të pagave. Përkeqësimi i standardit jetësor me rritjen e vazhdueshme të shportës minimale sindikale, e cila nga fillimi i vitit e deri më sot është rritur për më shumë se 4.800 denarë, duhet të jetë motiv i mjaftueshëm për rritjen e pagës minimale”.
Trendafilov tha se nëse rriten pagat në sektorin publik, Qeveria nuk do të ketë absolutisht asnjë barrë me rritjen e mundshme të pagës minimale, duke pasur parasysh se të gjithë të punësuarit në sektorin publik do të jenë mbi shumën e pagës minimale.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/